Përplasja mes Elisa Spiropalit dhe kryeministrit Edi Rama ka sjellë një tjetër zhvillim të dukshëm në Kuvend. Në seancën plenare të kësaj të enjteje, ish-kryetarja e Kuvendit nuk është më e ulur në vendin që mbante më parë në radhët e deputetëve socialistë, por është zhvendosur në rreshtin e fundit të sallës, pranë deputetëve të Partisë Demokratike.
Lëvizja vjen vetëm dy ditë pasi grupi parlamentar i Partisë Socialiste konfirmoi përjashtimin e saj, pas përplasjeve të vazhdueshme me Edi Ramën dhe qëndrimeve kritike të saj ndaj drejtimit të partisë.

Vendimi u mor më 24 nëntor, në një mbledhje të grupit parlamentar të PS-së, ku propozimi për përjashtimin e saj u hodh në votim nga kreu i grupit, Taulant Balla. Dy deputetët Erion Braçe dhe Bledi Çuçi abstenuan, ndërsa deputetët e tjerë të pranishëm mbështetën vendimin.

Përplasjet kishin nisur më herët, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së në Gjirin e Lalzit, më 14 nëntor, ku Rama kërkoi largimin e Spiropalit dhe të Plarent Ndrecës nga forumet drejtuese të partisë. Kërkesa e kryeministrit hasi kundërshti nga disa figura socialiste. Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko dolën kundër përjashtimit të tyre, duke kërkuar që të merreshin masa, por jo largimi nga strukturat drejtuese.

Në përfundim të Asamblesë, kërkesa nuk u hodh në votim, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, sqaroi se Spiropali dhe Ndreca nuk do të ishin më pjesë e forumeve drejtuese, por do të vijonin të mbeteshin anëtarë të partisë. Më 21 nëntor, Rama e konfirmoi publikisht qëndrimin e tij gjatë Asamblesë së PS-së për Tiranën, duke iu referuar të dyve si persona që nuk kishin më vend në familjen politike socialiste.

Një ditë pas përjashtimit nga grupi parlamentar, më 25 nëntor, Spiropali doli në një konferencë për shtyp në ambientet e Kuvendit, ku kundërshtoi mënyrën se si ishte marrë vendimi dhe deklaroi se nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga beteja politike. Ajo e cilësoi përjashtimin si një “dekoratë”, duke theksuar se ishte gruaja e parë e përjashtuar nga një forum i partisë në vitin 2026.
Spiropali akuzoi Ramën se përqendron të gjitha vendimmarrjet në duart e tij dhe pretendoi se në mbledhjen e Asamblesë nuk kishte pasur një votim për largimin e saj.

Spiropali hodhi poshtë gjithashtu mundësinë e largimit nga e majta, duke u vetëpërcaktuar si një socialiste e bindur dhe duke paralajmëruar se do të vijojë betejën e saj politike. Ajo pretendoi se 40 deputetë të grupit parlamentar nuk e kishin ngritur dorën në mbledhjen ku u vendos përjashtimi i saj, duke e cilësuar procesin si një vendimmarrje arbitrare të një pakice.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb