Për herë të parë, kartat po përdoren më shpesh sesa paratë kesh në dyqanet fizike në Evropë. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore Evropiane, kartat përbënin 45% të transaksioneve në dyqane në vitin 2026, duke lënë pas paratë kesh, të cilat zinin 44%. Pagesat përmes pajisjeve celulare gjithashtu vazhduan të fitojnë terren, duke u rritur nga 6% në vitin 2024 në 9% në vitin 2026. Ky kalim drejt pagesave pa para kesh pasqyrohet edhe në preferencat e konsumatorëve. Më shumë se gjysma e konsumatorëve evropianë të anketuar thanë se preferojnë kartat ose metoda të tjera dixhitale kur paguajnë në dyqane fizike, krahasuar me vetëm 22% që preferojnë paratë kesh. Në SHBA, kjo preferencë është edhe më e theksuar. Një sondazh i Rezervës Federale në vitin 2025 zbuloi se 78% e të anketuarve preferonin të përdornin një kartë krediti ose debiti për pagesat fizike, ndërsa vetëm 16% favorizonin paratë kesh. Një faktor që e veçon Evropën është angazhimi i vazhdueshëm i BQE-së për të ruajtur aksesin te paratë kesh. Paratë kesh mbeten gjerësisht të pranuara në të gjithë zonën euro. Sipas BQE-së, paratë kesh pranoheshin në 93% të transaksioneve fizike në vitin 2026, një rënie nga 95% në vitin 2024. Shkalla e pranimit ishte më e ulët për metodat e tjera të pagesës; të paktën 12% e konsumatorëve raportuan se pagesat e tyre përmes pajisjeve celulare ose kartave nuk ishin pranuar të paktën një herë gjatë muajit para anketimit. Sipas të dhënave, finlanda është vendi ku kartat përdoren gjerësisht si metodë pagese ndërsa sllovenët duket se nuk heqin dot dorë lehtë nga paratë në dorë.