E enjte, 26 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
SPAK çon në gjyq 10 persona për pastrimin e parave të drogës në Itali
Lajme

SPAK çon në gjyq 10 persona për pastrimin e parave të drogës në Itali

680 mijë euro u kapën në Muriqan

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 10 persona, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me pastrimin e parave të përfituara nga trafiku i lëndëve narkotike në Itali. Në qendër të dosjes është një skemë e organizuar për transferimin e shumave të mëdha monetare nga Italia drejt Shqipërisë, ndërsa një prej episodeve kryesore të dokumentuara është sekuestrimi i 680.595 eurove në pikën kufitare të Murriqanit.

Hetimi është zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me Prokurorinë Antimafia të Barit (DDA), përmes një Skuadre të Përbashkët Hetimore dhe me mbështetjen e Eurojust. Sipas organit të akuzës, hetimet e kryera në Shqipëri dhe Itali kanë dokumentuar aktivitetin e një grupi kriminal shqiptaro-italian, të përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e drogës, vrasje me dashje dhe pastrimin e produkteve të veprave penale.

Në kuadër të procedimit penal nr. 243/1 të vitit 2026, SPAK ka kërkuar gjykimin e Igli Kamberit, Ergys Kastratit, i njohur edhe me aliasin Bishja, Nevila Kamberit, Idajete Kurtit, Bardhok Gjergjit, Lefter Nelajt, Edi Brahajt, Dituri Buzit, Saimir Pirrës dhe Sokol Fushës.

Dhjetë të pandehurit akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.

680.595 euro të fshehura në një automjet në Murriqan

Një nga episodet më të rëndësishme të zbardhura gjatë hetimit daton më 14 nëntor 2024. Në Pikën e Kalimit Kufitar të Murriqanit, në Shkodër, gjatë një kontrolli të koordinuar me hetimin e përbashkët shqiptaro-italian, autoritetet zbuluan dhe sekuestruan 680.595 euro.

Shuma ishte fshehur në një hapësirë të përshtatur posaçërisht brenda një automjeti tip “Mercedes-Benz”, me targa AB216RE, i drejtuar nga Lefter Nelaj.

Sipas SPAK, paratë ishin përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i shitjes së lëndëve narkotike në Italinë e Jugut dhe në zona të tjera të vendit, ndërsa transportoheshin drejt Shqipërisë për t’u larguar nga gjurmimi i autoriteteve dhe për t’u mbuluar origjina kriminale.

Si funksiononte skema e transportimit të parave

Hetuesit kanë dokumentuar një mekanizëm të organizuar, ku shumat monetare grumbulloheshin në Itali dhe më pas dërgoheshin në Shqipëri përmes shoferëve të transportit ndërkombëtar dhe korrierëve.

Për të shmangur kontrollet kufitare dhe gjurmimin financiar, paratë transportoheshin në rrugë informale dhe fshiheshin në automjete ose mes sendeve të zakonshme, përfshirë veshje të përdorura. Personat që merrnin përsipër transportimin shpërbleheshin me një përqindje të shumës që transferonin.

Sipas hetimeve, çdo hallkë kishte detyra të përcaktuara, nga marrja e parave në Itali dhe koordinimi i lëvizjeve, deri te transportimi, ruajtja dhe dorëzimi i tyre në Shqipëri.

Roli i 10 personave në skemën e dyshuar kriminale

Në dosjen e SPAK janë përshkruar edhe funksionet që dyshohet se kishte secili prej të pandehurve në mekanizmin e transferimit të parave.

Ergys Kastrati alias Bishja dyshohet se shërbente si furnizues dhe ndërlidhës mes anëtarëve të grupit, duke përcjellë porositë për marrjen e shumave monetare në Itali. Ndërsa Igli Kamberi, sipas hetimeve, menaxhonte aktivitetin e trafikimit të drogës në Itali dhe përcaktonte destinacionin e përfitimeve financiare.

Edi Brahaj dyshohet se koordinonte porositë dhe kontrollonte transportuesit, duke u dhënë udhëzime për itineraret, paketimin, fotografimin dhe mënyrën e fshehjes së parave. Bardhok Gjergji kishte rolin e përcjelljes së porosive për marrjen e shumave, ndërsa Lefter Nelaj dyshohet se kryente transportimin fizik të tyre dhe raportonte përmes fotografive për shumat e grumbulluara dhe ecurinë e transferimit.

Nevila Kamberi, bashkëshortja e Igli Kamberit, sipas SPAK, administronte atë që në dosje përshkruhet si “arka” e grupit. Ajo dyshohet se vendoste për shumat që do të transferoheshin, personat që do të kryenin transportin dhe destinacionin e parave në Shqipëri.

Dituri Buzi dyshohet se bashkëpunonte me vajzën e saj, Nevila Kamberin, dhe me Saimir Pirrën për transferimin e parave nga Italia. Sipas hetuesve, ajo ishte në dijeni të origjinës kriminale të shumave dhe kishte rol në ruajtjen e lëvizjen e tyre.

Saimir Pirra dyshohet se ka transportuar fizikisht para në dy episode të dokumentuara nga hetimi, në koordinim me pjesëtarët e tjerë të grupit. Ndërsa Sokol Fusha akuzohet se ishte pjesë e zinxhirit të transportimit të shumave monetare të fshehura nga Italia drejt Shqipërisë.

Idajete Kurti, e cila kishte lidhje familjare me Igli Kamberin, dyshohet se shërbente si person i besuar për marrjen dhe ruajtjen e përkohshme të parave në banesën e tij, me qëllim shmangien e sekuestrimit nga autoritetet.

Hetimet vijojnë në Shqipëri dhe Itali

SPAK bën me dije se hetimet për këtë aktivitet kriminal nuk janë mbyllur plotësisht, pasi autoritetet shqiptare dhe italiane vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në grupin kriminal.

Dosja tashmë i është përcjellë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, ku do të shqyrtohen akuzat ndaj 10 personave.

NJOFTIMI I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.243/1 të vitit 2026, në ngarkim të të pandehurve:

1.Igli Kamberi, i akuzuar për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 287/1/a, b dhe ç, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.

2.Ergys Kastrati alias Bishja, i akuzuar për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 287/1/a, b dhe ç, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.

3.Nevila Kamberi, e akuzuar për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

4.Idajete Kurti, e akuzuar për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

5.Bardhok Gjergji, i akuzuar për veprat penale të “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
6.Lefter Nelaj, i akuzuar për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
7.Edi Brahaj, i akuzuar për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
8. Dituri Buzi, e akuzuar për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të grupit të strukturuar kriminal,“Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

9.Saimir Pirra, i akuzuar për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të grupit të strukturuar kriminal,“Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

10. Sokol Fusha, i akuzuar për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të grupit të strukturuar kriminal,“Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Hetimet për këtë procedim penal janë kryer në Shqipëri dhe Itali nga një Skuadër e Përbashkët Hetimore, mes Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Prokurorisë DDA të Barit,Itali, me mbështetjen e Eurojust. Gjatë hetimit të kryer në Itali dhe Shqipëri është dokumentuar aktiviteti kriminal i kryer nga shtetas shqiptarë dhe italianë, të cilët duke vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer vepra penale si trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, vrasje me dashje, pastrim të produkteve të veprës penale etj. Gjithashtu gjatë këtij hetimi janë dokumentuar episode të transferimit të vlerave të ndryshme monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal i tregtimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në Italinë e Jugut dhe në zona të tjera të Italisë, duke i dërguar më pas vlerat monetare të përfituara drejt Shqipërisë, me qëllim pastrimin dhe mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre.

Paratë transportoheshin në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar nga pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal, kryesisht me shoferë të transportit ndërkombëtar ose me korrierë, përmes rrugëve informale, për të shmangur kontrollet nga agjencitë ligjzbatuese dhe gjurmimin e tyre. Ato fshiheshin në automjete ose mes sendeve të zakonshme, si veshje të përdorura. Transportuesit shpërbleheshin me një përqindje të shumës së transportuar.

Më 14.11.2024, në Pikën e Kalimit Kufitar të Murriqanit, Shkodër, gjatë një kontrolli të koordinuar me hetimin e përbashkët, u sekuestrua shuma prej 680.595 euro, e fshehur në një vend të përshtatur enkas në automjetin “Mercedes Benz” me targë AB216RE, me drejtues shtetasin Lefter Nelaj. Hetimet e kryera për këtë grup kriminal kanë mundësuar identifikimin e të pandehurit Ergys Kastrati, si furnizuesi dhe ndërlidhësi mes anëtarëve të grupit dhe dhënësi i porosive për marrjen e parave në Itali. I pandehuri Igli Kamberi menaxhonte trafikimin në Itali dhe vendoste mbi destinacionin e përfitimeve. Ndërsa i pandehuri Edi Brahaj koordinonte zbatimin e porosive dhe kontrollonte transportuesit, duke i dhënë udhëzime për itinerarin, fotografimin, paketimin dhe fshehjen e parave. I pandehuri, Bardhok Gjergji përcillte porositë për marrjen e parave, duke u shfaqur si një prej hallkave të mekanizmit. I pandehur Lefter Nelaj transportonte paratë duke ndjekur udhëzimet e koordinuesve dhe duke dërguar fotografi të shumave të marra dhe ecurinë e grumbullimit dhe transferimit të vlerave monetare.

E pandehura Nevila Kamberi, bashkëshortja e të pandehurit, Igli Kamberi, administronte “arkën” e grupit, duke vendosur për shumën, transportuesit dhe destinacionin e parave në Shqipëri. E pandehura Dituri Buzi bashkëpunonte me të bijën, Nevila Kamberi dhe të pandehurin Saimir Pirra për transferimin e shumave monetare nga Italia drejt Shqipërisë dhe ishte në dijeni të origjinës kriminale të aktivitetit, duke u bërë në mënyrë të vëtëdijshme pjesë aktive e mekanizmit të ruajtjes dhe transferimit të vlerave monetare. I pandehuri Saimir Pirra në koordinim me pjestarët e tjerë të grupit kriminal në Itali dhe Shqipëri, ka kryer transportimin fizik të shumave monetare gjatë dy episodeve të dokumentuara.I pandehuri Sokol Fusha ishte pjesë e zinxhirit të funksionimit të grupit kriminal duke transportuar vlera monetare të fshehura në vende të ndryshme, nga Italia në Shqipëri. Ndërsa e pandehura Idajete Kurti, me lidhje familjare me të pandehurin Igli Kamberi shërbente si person i besuar për marrjen dhe ruajtjen e përkohshme të parave nga banesa e tij, për të shmangur sekuestrimin. Hetimet vazhdojnë në Itali dhe Shqipëri për identifikimin e plotë të pjesëtarëve të grupit kriminal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.