E enjte, 26 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Vrasja e Frrok Lleshajt, lëshohet urdhër ndalimi për Vinçesk Pirolin dhe Kristian Ymerin
Lajme

Vrasja e Frrok Lleshajt, lëshohet urdhër ndalimi për Vinçesk Pirolin dhe Kristian Ymerin

Policia e Shkodrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për Vinçesk Pirolin dhe urdhër arresti për Kristian Ymerin, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshaj, i cili u ekzekutua më 4 gusht 2025 në fshatin Paçram të Vaut të Dejës.

Zhvillimi vjen pas hetimeve të kryera nga policia dhe prokuroria për zbardhjen e atentatit ndaj 65-vjeçarit, i cili u qëllua me armë zjarri pranë banesës së tij. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, krimi mund të jetë kryer për interesa të caktuara, ndërsa autorët nuk janë identifikuar publikisht deri më tani.

Vinçesk Piroli është rikthyer në vëmendjen e autoriteteve vetëm pak ditë pasi Gjykata e Apelit vendosi ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, duke e kaluar nga burgu në arrest shtëpie. Vendimi u mor më 19 nëntor, në kuadër të një çështjeje tjetër penale, ku ai ishte arrestuar gjatë operacionit policor “Detajet”.

Piroli ishte arrestuar në tetor 2026, së bashku me dy persona të tjerë, pasi dyshohej se po përgatitej një atentat në zonën e Lezhës. Pas ndryshimit të masës së sigurisë, ai u la në arrest shtëpie, ndërsa tashmë dyshohet për lidhje me vrasjen e ish-policit Frrok Lleshaj.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Shkodrës bën me dije se, në bashkëpunim me prokurorin e çështjes, ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin dhe dokumentimin ligjor të personave të dyshuar për vrasjen e ndodhur më 4 gusht 2025 në Paçram të Vaut të Dejës.

Në bazë të provave të administruara gjatë hetimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy shtetas, të identifikuar me inicialet K. Y. (Sh.) dhe V. P., të dyshuar për “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtje pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Sipas policisë, shtetasi K. Y. (Sh.) ndodhet i ndaluar për një vepër tjetër penale, ndërsa V. P. është nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, po për një çështje tjetër.

Hetimet për vrasjen e Frrok Lleshajt vijojnë, ndërsa urdhrat e rinj të sigurisë për Pirolin dhe Ymerin përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet për zbardhjen e ekzekutimit të ish-efektivit të policisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.