Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare mjeku i njohur dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ylli Ziçishti.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti socialist Taulant Balla, i cili ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke vlerësuar kontributin e tij në mjekësi.
“U kujdes gjithë jetën për shëndetin e të tjerëve, por sot zemra i pushoi përgjithmonë mjekut të madh dhe kolegut të veçantë Ylli Ziçishti. U prehsh në paqe Ylli ynë”, shkruan Balla.
Ylli Ziçishti lindi më 15 shkurt 1950 në Tiranë, ndërsa familja e tij ishte me origjinë nga Devolli. Ai ishte i biri i Mihallaq Ziçishtit dhe nipi i Llambi Ziçishtit, dy emra të njohur të periudhës së komunizmit.
Ziçishti ia kushtoi jetën mjekësisë, profesion të cilin e ushtroi që prej vitit 1973. I specializuar në kirurgjinë vaskulare, ai ndërtoi një karrierë të gjatë në sistemin shëndetësor shqiptar dhe kreu edhe specializime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë karrierës së tij punoi edhe në Tepelenë, ndërsa një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë profesionale e zhvilloi në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë. Për 16 vite drejtoi shërbimin e Urgjencës në këtë spital, ku u përball me raste të shumta dhe të vështira mjekësore.
Pas një karriere të gjatë në mjekësi, Ziçishti u angazhua edhe në politikë. Ai u zgjodh deputet i Partisë Socialiste në zonën e Devollit për legjislaturën 2013–2017.
Pas përfundimit të mandatit parlamentar, iu rikthye profesionit të mjekut, duke vijuar punën në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.a.b





