Policia ka zbardhur vrasjen e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshi, i ekzekutuar më 4 gusht 2025 në fshatin Paçram të Vaut të Dejës. Në kuadër të hetimeve, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Vinçesk Pirolin dhe Kristian Ymerin, të dyshuar si autorë të vrasjes në bashkëpunim.
Arrestimi i Pirolit vjen vetëm pak ditë pasi ai ishte liruar nga burgu dhe ishte vendosur në arrest shtëpie me vendim të Gjykatës së Apelit.
Sipas njoftimit të policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me prokurorin e çështjes, kanë vijuar hetimet për identifikimin dhe dokumentimin ligjor të autorëve të dyshuar të vrasjes së ish-policit.
Në bazë të provave të mbledhura, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar masën “Arrest në burg” për Kristian Ymerin dhe Vinçesk Pirolin, të dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Kristian Ymeri ndodhet aktualisht i ndaluar për një vepër tjetër penale, ndërsa Piroli ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ky i fundit ishte arrestuar më 11 tetor, së bashku me Kristian Ymerin dhe Elden Tarjan, në kuadër të operacionit policor “Detajet”. Ata dyshoheshin se po përgatitnin një atentat në zonën e Lezhës. Gjatë operacionit, policia sekuestroi tri armë zjarri, municion luftarak dhe një motomjet të vjedhur në Suedi.
Më 19 nëntor, Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë për Pirolin, nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”, pasi ai kishte qëndruar 38 ditë në paraburgim.
Frrok Lleshi, 65 vjeç, u vra më 4 gusht 2025 në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, ku u qëllua për vdekje me armë zjarri. Një nga pistat e hetimit për ngjarjen ishte edhe ajo e një hakmarrjeje të mundshme.a.b





