Kroacia nuk do të pranojë rishqyrtimin e kufirit tokësor me Malin e Zi dhe as nuk do t’i lejojë atij mbylljen e Kapitullit 31 të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhet me Politikën e Jashtme, të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, derisa të zgjidhet çështja e demarkacionit në tokë. Deklarata u bë nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, i cili theksoi se Zagrebi do ta interpretojë çdo vënie në pikëpyetje të kufirit tokësor si pretendim territorial ndaj Kroacisë. Duke folur para takimit të jashtëzakonshëm të Këshillit Europian në Bruksel, Plenkoviq komentoi paralajmërimin e Podgoricës se do t’i dërgojë Qeverisë kroate një propozim për zgjidhjen e kufirit tokësor dhe detar. Ai bëri të qartë se arbitrazhi nuk është një opsion për vendin e tij.