Kreu i PD, Sali Berisha ka kundërshtuar në Kuvend aktin normativ për tubimet, duke e cilësuar atë si antidemokratik dhe në shkelje të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, Berisha kërkoi që projektligji të hiqet nga rendi i ditës deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, ku çështja është dërguar për shqyrtim nga Partia Demokratike dhe shoqatat e studentëve e protestuesve.
“Sot në këtë parlament janë sjellë akte antidemokratike, akte që dhunojnë themelet e shtetit ligjor, që dhunojnë të drejtat më themelore të qytetarëve të sanksionuara në Kushtetutë, të sanksionuara në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të firmosur nga Shqipëria që në vitin 1995, të sanksionuara në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Me asnjë akt, me asnjë vendim, me asnjë votim ju nuk mund të kufizoni të drejtën e protestës së qytetarëve. Ky veprim që bëni pas qëndrimeve shtazarake ndaj protestuesve paqësorë, dhe unë u them shqiptarëve se në mënyrë absolute asnjëri prej atyre që ka marrë plumbin në ballë, që ka marrë plumbin në gojë, që ka marrë plumbin mbas veshi, që ka marrë breshërit në trup, që janë thyer kockat dhe gjymtyrët, nuk ka qenë në asnjë akt të dhunshëm.
Unë informoj shqiptarët se nga 600 të arrestuar, të ndaluar, gjykatat i kanë shpallur që të gjithë të paligjshëm përveçse katër, edhe ato me ndërhyrje të fuqishme politike. Por gjykatat i kanë shpallur ato ndalime të paligjshme. Do hysh në histori, anuloje! Të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese si minimum. Shoqatat e studentëve, e protestuesve e kanë dërguar, edhe Partia Demokratike e kanë dërguar ligjin në Gjykatë Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e ka në shqyrtim këto ditë, ndaj dhe mos i lini këtë turp të madh këtij parlamenti. Hiqe nga rendi i ditës dhe kaloje të presim vendimin e gjykatës, e cila nuk mund të ketë alternativë tjetër veçse të mbrojë vendimin…Zoti kryetar, nuk mund të sillen këto amendamente”, tha Berisha.
Ai e cilësoi miratimin e ndryshimeve në këtë moment si një akt cinik ndaj qytetarëve që kanë protestuar për çështje ekonomike, sociale dhe politike. Berisha sulmoi mazhorancën, duke e akuzuar se po përdor pushtetin për të mbrojtur interesat e saj dhe për të shmangur përgjegjësinë për akuzat e korrupsionit.
“Ky është cinizmi më i madh ndaj atyre qindra e qindra të rinjve, qytetarëve që u trajtuan në mënyrë shtazarake për interesat jetike, atdhetare, ekonomike, sociale, politike të çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Nuk kanë faj qytetarët pse i shfryni ju në parti krimi. Nuk kanë faj qytetarët pse ju keni tmerr nga krimet tuaja. Nuk kanë faj qytetarët pse ju votoni, mund të votoni çdo masë kundër tyre për të mbrojë vjedhjet tuaja, lëkurën tuaj, por fundi juaj është i afërt! I afërt! I fundit flet sovrani”, deklaori kreu i PD.




























