Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, është përballur me një sërë pyetjesh dhe akuzash nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me dhunën e ushtruar ndaj protestuesve gjatë tubimeve në Tiranë. !Gjatë diskutimeve në Kuvend, Tabaku i kërkoi ministrit të japë shpjegime për shpërndarjen e policisë në protesta, duke e pyetur konkretisht për personat civilë që, sipas saj, kanë tërhequr zvarrë qytetarët.
“Zoti Demo, ju kam nisur një shkresë sa i përket shpërndarjes së policisë në protesta. Keni refuzuar t’i përgjigjeni kësaj kërkese. Cilët ishin civilët që tërhoqën zvarrë qytetarët e Tiranës? A keni dijeni për Kartën e të Drejtave të Njeriut, ku detyrohet policia të ushtrojë proporcionalitet gjatë ndërhyrjeve?”, e pyeti Tabaku.
Edhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ngriti akuza të forta ndaj ministrit, duke e bërë përgjegjës për dhunën policore ndaj protestuesve. Ai solli në vëmendje rastin e të riut Enea, i cili sipas tij është dhunuar nga shefi i Komisariatit nr. 1, dhe kërkoi përgjegjësi nga Demo për dëmtimet e raportuara te protestuesit.
“Zoti ministër, faleminderit që erdhët, sepse kemi kohë që ju kërkojmë. Një djalë i ri, Enea, është dhunuar nga shefi i Komisariatit nr. 1. Zoti ministër, a mbani ju përgjegjësi për dhunën? Janë me qindra të rinj dhe të reja që u kanë thyer kockat, hundët, nëpër komisariate dhe furgona. Pse nuk mbani përgjegjësi? Ku jeni ju, të njëjtët që i dhunojnë në rrugë dhe më pas u shkojnë në komisariate dhe i kërcënojnë? Do të mbani përgjegjësi, sepse dhunën nuk e ushtrojnë ata, por ti dhe Edi Rama, kjo maxhorancë”, deklaroi Shehaj.
Në përgjigjen e tij, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, tha se nuk mund të japë përgjigje konkrete për raste individuale, pasi ato duhet të hetohen nga institucionet përkatëse. Ai pretendoi se gjatë protestave ka pasur edhe akte dhune ndaj institucioneve shtetërore, Policisë së Shtetit dhe bizneseve private. “Për pyetje specifike që lidhen me rrethanat e individëve të caktuar, nuk mund të jap përgjigje konkrete, sepse duhet të hetohen. Më vjen keq që zgjedhim vetëm një pjesë të asaj që ne shohim. Do të ishte e pafalshme për një parti politike që nuk dënon dhunën dhe për ditë të tëra nuk ka thënë asnjë fjalë për atë që ndodhi prej disa ditësh në Tiranë”, u shpreh Demo.
Ministri e cilësoi situatën si emergjente, duke pretenduar se institucionet shtetërore, policia dhe bizneset private kanë qenë objekt i sulmeve. Ai theksoi se Policia e Shtetit ka pasur detyrimin të ruajë rendin dhe të zbatojë ligjin. Sa i përket pretendimeve për përdorim joproporcional të forcës, Demo tha se qëndrimi i tij ka qenë që në ditën e parë që policia të veprojë në përputhje me parimin e proporcionalitetit.
“Në rast se nuk është zbatuar proporcionaliteti, kemi pezulluar nëntë policë. AMP po heton. Policia dhe AMP po hetojnë me Prokurorinë rastet që janë regjistruar për denoncimet. Ligjin duhet ta kërkojmë të zbatohet nga të gjithë. Nuk diferencoj një polic nga një qytetar, ligji është i barabartë për të gjithë kur flasim për të drejtën për të protestuar. E besoj fort që detyra e policisë është të garantojë të drejtën e protestës paqësore. Mos dhunojë individë që ecin në rrugë, policinë, pronën privatë apo institucionet. Nëse biem dakord për këtë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë ndaj meje apo qeverisë dhe policia garanton të drejtën e tyre. I bindur që detyra jonë është të garantojmë këtë të drejtë. Por ju jeni një forcë politike më e madhja opozitare, por duhet të mbajmë edhe përgjegjësi për qëndrimin ndaj dhunës ndaj policisë. Vendet europiane i kanë ashpërsuar masat shtrënguese siç ne nuk i kemi fare. Pse qenka Franca, Gjermania, Italia, Spanja vend demokratik dhe ne nuk jemi. Janë demokratike sepse besojnë në parimin, opozita del dhe dënon dhunën, këtu nuk e bën. T’ju bëj një pyetje, është PD në dijeni dhe organizim të grupeve të caktuara për të ushtruar dhunë në Tiranë?”, deklaroi ministri i Brendshëm.






