Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi në emisionin “Puls”, nga Bruna Çifligu në A2CNN, se Ministria e Arsimit mbetet e hapur për komunikimin me studentët, edhe pse institucioni është dhunuar dhe djegur gjatë protestave.
Kumbaro theksoi se dhuna mbi institucionet dhe pronën private nuk është bërë nga studentët, por nga persona të maskuar. Po ashtu ajo ngriti shqetësimin se studentë që duan të komunikojnë me ministren apo pedagogë, bullizohen dhe kërcënohen nga grupe të vogla.
“Mendoj që studentët kanë gjithmonë një arsye të drejtë për të protestuar. Universitetet janë institucione autonome, ka disa problematika që varen drejtpërsërdrejti nga universitetet dhe që kanë gjithë kompetencat dhe aftësinë për t’u përgjigjur studentëve, ka disa të tjera që lidhen me vendime që shkojnë përtej universiteteve, që lidhen me buxhetet. Përgjigjja ime që në fillim është që dera e Ministrisë së Arsimit është e hapur dhe nuk është mbyllur, edhe kur është dhunuar, edhe kur është djegur. Nuk e kanë bërë studentët dhunën mbi institucionet, dhunën mbi pronën publike dhe private. Ata që e kanë bërë janë me maska kështu që është detyrë e organeve ligjzbatuese që t’i gjejnë, t’i identifikojnë, dënojnë e me radhë, si të jenë rregullat”, tha Kumbaro.
“Studentët, jam përpjekur t’i ndjek në të gjitha kanalet e komunikimit. Ka një keqardhje shumë të thellë, që të shoh në vitin 2026, studentë të kenë merak se mos i shikon njeri, që komunikojnë me një pedagog apo me ministren. Të trembur sepse bullizohen dhe kërcënohen nga ato grupe të vogla, që shkojnë dhe i kritikojnë pse flasin. Kam komunikuar me mesazhe, whatsApp, faqet sociale, individualisht, në grupe. I kam dëgjuar me shumë vëmendje”, shtoi ministrja.










