Nga Lidhja Shqiptare u ngritën sot pretendime se deputetëve po u bëhet padrejtësi në parashtrimin e pyetjeve. Sipas kësaj partie, deputetët që janë pjesë e një grupi parlamentar kanë përparësi në listën për parashtrimin e pyetjeve.
Kryetari i LSH-së, Ziadin Sela, deklaroi se nëse Gashi ka marrëveshje me BDI-në për t’i lënë në hije deputetët e partive të tjera, kjo është çështje e tij, por nëse një gjë e tillë ekziston, ata do t’ua çjerrim maskën.
Të lidhura
None found
Deputetja e LSH-së, Ilire Dauti, tha se pavarësisht se emri i saj renditej i fundit në listë këtë herë, ajo nuk donte ta trajtonte si çështje personale, por donte të fliste për shkeljen që i bëhet demokracisë dhe lirisë së fjalës.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u shpreh se renditja e deputetëve për parashtrimin e pyetjeve bëhet sipas Rregullores. Ai theksoi se nuk ka asnjë padrejtësi, pasi radha e pyetjeve të deputetëve parashikohet në nenin 41, paragrafin e dytë.
Për akuzat e Selës për marrëveshje mes Gashit dhe BDI-së, reagoi deputetja e BDI-së, Dijana Toska.
Ajo tha se BDI nuk ka lobuar asnjëherë për t’u renditur e para apo e dyta në listën e pyetjeve të deputetëve. Sipas saj, kjo i takon natyrshëm në bazë të numrit të deputetëve dhe nuk mund t’i apostrofojnë si koalicion, sidomos si BDI, se gjoja kanë ndonjë marrëveshje me kryetarin ose me subjektet politike në pushtet për renditjen e deputetëve, sepse kjo është e përcaktuar me ligj.
Pas kësaj, kryeparlamentari Gashi dha një pauzë prej gjysmë ore për t’u koordinuar me koordinatorët e grupeve parlamentare, pasi seanca po bllokohej vazhdimisht përmes proceduraleve.






