Komisioni mbështet dividend 15%, kërkon përjashtim nga taksa e lëndës së para te fasonët

Komisioni për Ekonominë dhe Financat i ka përcjellë Kuvendit të Shqipërisë rekomandime dhe propozime të tjera për ndryshimet në Paketën Fiskale, që lidhen me taksën e qarkullimit, akcizën e duhanit dhe lehtësitë doganore për industrinë fason.
Këto propozime i shtohen rekomandimeve të tjera të Komisionit për Paketën Fiskale, të prezantuara në seancën plenare nga deputeti Erjon Braçe, në emër të Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Në ligjin “Për Taksat Kombëtare”, deputeti Erjon Braçe tha gjatë seancës plenare, se Komisioni i Ekonomisë ka mbështetur politikën e qeverisë për ndryshimin e taksës së qarkullimit, me një efekt prej 32,4 lekësh për litër në çmimin e karburantit.
“Masa synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve dhe të qytetarëve që përdorin automjetet për të shkuar në punë, si dhe kostot e sektorëve të bujqësisë, transportit publik dhe transportit të mallrave”, tha ai.
Por sipas tij Komisioni ka evidentuar edhe problematikat që krijon mbledhja e taksës së qarkullimit një herë në vit. Kjo mënyrë pagese mund të rëndojë veçanërisht përdoruesit e automjeteve me motorë të mëdhenj, me kohë të gjatë përdorimi, por që përshkojnë pak kilometra.
Sipas argumentimit të Braçes, kjo mund të ndikojë në koston e mbajtjes së automjeteve dhe në vendimet për ndryshimin e flotës së makinave, si për përdorim personal, ashtu edhe për aktivitet ekonomik.
Në këtë kontekst, Komisioni i ka kërkuar qeverisë të rishikojë dhe të arsyetojë taksën e karbonit, e cila vijon të aplikohet për çdo litër karburant, ndërkohë që është edhe pjesë përbërëse e taksës së qarkullimit.
Në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, Komisioni ka mbështetur politikën e qeverisë për lehtësimin nga tatimi mbi të ardhurat të pagave në fashën nga 200 mijë deri në 300 mijë lekë në muaj, si dhe të pagave nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë në muaj. Kjo masë synon të lehtësojë barrën tatimore për shtresën e mesme dhe të trajtojë njësoj të ardhurat nga puna në sektorin publik dhe atë privat.
Një tjetër ndryshim i mbështetur nga Komisioni është rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%.
“Komisioni ka mbështetur politikën e qeverisë për rritjen e tatimit mbi të ardhurat nga dividendi i shpërndarë, nga 8% në 15%, duke i dhënë fund regjimit tetëvjeçar, i cili u aplikua që në nisje edhe me efekt prapaveprues. Një padrejtësi që korrigjohet sot.
Për më tepër, administrata fiskale ka provuar në mënyrë të qartë se shpërndarja e dividendit është përdorur gjerësisht për të zëvendësuar pagën dhe për të tatuar padrejtësisht këto të ardhura në nivelin 8%.
Edhe pas këtij ndryshimi, do të jemi në kushtet e një favori fiskal, pasi të ardhurat nga dividendi do të tatohen me një normë të sheshtë dhe jo progresive.
Komisioni i ka kërkuar gjithashtu qeverisë të shqyrtojë mundësinë e përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat të interesave nga depozitat afatgjata që prindërit ua dedikojnë fëmijëve të tyre”, deklaroi deputeti Braçe gjatë seancës plenare.
Rritja e akcizës së duhanit dhe produktet elektronike
Në ligjin për Akcizat, Komisioni ka mbështetur politikën dhe kalendarin e ri të qeverisë për rritjen e akcizës së duhanit, si dhe përfshirjen në skemën e akcizës të të gjitha produkteve të duhanit elektronik.
Ndërkohë, Komisioni ka propozuar ndryshimin e ligjit për të reflektuar heqjen nga tabela e akcizës të qeseve me nikotinë për përdorim oral, produkte të ndaluara brenda vendit.
Kërkesë për lehtësi doganore për industrinë e lehtë
Përtej ndryshimeve të propozuara nga qeveria, Komisioni ka ngritur edhe problematikën e industrisë së lehtë, veçanërisht të sektorit që punon me material porositës.
Për këtë arsye, i ka rekomanduar qeverisë të shqyrtojë mundësinë e përjashtimit nga taksat doganore të lëndëve të para që përdoren në proceset e prodhimit të këtij sektori.
Sipas argumentimit të Braçes, nëse qeveria kërkon ndryshimin e ciklit të prodhimit nga bizneset e këtij sektori, kjo kërkesë duhet të shoqërohet edhe me masa konkrete lehtësuese fiskale.
“Përtej ligjeve të propozuara nga qeveria, Komisioni ka ndjekur me shqetësim problematikat në industrinë e lehtë, e cila punon me material porositës, dhe e ka vlerësuar me vend t’i rekomandojë qeverisë adresimin e kërkesës për çlirimin e këtij sektori nga taksat doganore për lëndët e para që përdoren në proceset e prodhimit.
Qeveria do të ishte e mirëpritur nëse kërkesën e saj drejtuar këtij sektori për ndryshimin e ciklit të prodhimit do ta shoqëronte edhe me masa të tilla lehtësuese fiskale”.
Komisioni i Ekonomisë kërkon TVSH 6% për ujin e ambalazhuar, produktet e higjienës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









