
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka propozuar hartimin e një agjende të përbashkët Shqipëri-Kosovë për sigurinë kibernetike, që përfshin zhvillimin e ushtrimeve të përbashkëta, shkëmbimin e sigurt të informacionit dhe programe akademike e profesionale.
Propozimi u bë gjatë konferencës “Sfidat e Sigurisë së Informacionit në realitetin e TIK”, të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar në Shqipëri dhe Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar në Kosovë.
“Ne duhet të jemi të vendosur ta çojmë bashkëpunimin dhe partneritetin tonë në një nivel më konkret dhe më ambicioz!”, deklaroi Nufi. Ministri foli edhe për rreziqet që paraqet zhvillimi i inteligjencës artificiale. Sipas tij, teknologjitë e reja krijojnë mundësi për sulme më komplekse dhe manipulim të informacionit, por mund të përdoren edhe për zbulimin e hershëm të kërcënimeve.
“Një sulm ndaj sistemeve të informacionit, një cenim i infrastrukturës kritike apo një rrjedhje e informacionit të klasifikuar mund të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare, funksionalitetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve”, u shpreh Nufi.