Tre persona janë arrestuar në Kosovë, nën dyshimin për përfshirje në një skemë mashtrimi me investime online, krim të organizuar dhe përfitim të paligjshëm parash. Operacioni u zhvillua më 25 nëntor, në katër lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas hetimeve paraprake, të dyshuarit përdornin komunikime elektronike dhe telefonike për të mashtruar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i nxitur të investonin në platforma të rreme. Përmes kësaj skeme dyshohet se u kanë shkaktuar viktimave dëme të konsiderueshme financiare.