Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“MEMENTO – 24 KUADRO NË SEKONDË KUNDËR HARRESËS” TE “DRITA”

Projekti “MEMENTO – 24 kuadro në sekondë kundër harresës” do të prezantohet më 27 nëntor, në orën 19:00, në Kinemanë “Drita”, pranë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Në kuadër të këtij aktiviteti do të shfaqen dy filma të animuar shqiptarë, “Gjethja” (1986–1988), me regji të Artur Muharremit dhe “Talenti i babait” (1990), me regji të Esperanca Konomit. Filmat do të rikthehen përmes procesit të restaurimit digjital, një kontribut i Eda Zarit dhe Kult360, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Eljan Taninin. Hyrja për publikun do të jetë e lirë.

2. HAPET “MiA MUSEUM”, MUZEU I JETËS SË PËRDITSHME NË TIRANË

“MiA Museum” do të hapë dyert sot në orën 19:00 në katin e parë të Pallatit me Kuba në Tiranë, në ndërtesën e projektuar nga arkitekti Maks Velo. Muzeu sjell historinë e jetës së përditshme në Shqipëri përmes objekteve që njerëzit kanë prodhuar, përdorur dhe ruajtur ndër vite. Koleksioni përfshin dy periudha të rëndësishme të historisë shqiptare, vitet 1870–1944 dhe 1945–1991.

3. “QAZIM MULLETI, AI I VËRTETI”, SHFAQET DOKUMENTARI NË TIRANË

“Qazim Mulletti, ai i vërteti” është dokumentari që do të shfaqet premierë sonte në orën 17:00, në kinemanë “Millennium” në Tiranë. Filmi, me skenar dhe regji nga Ylli Pepo, vjen në kuadër të aktiviteteve kushtuar 114-vjetorit të Pavarësisë dhe ngritjes së flamurit në Tiranë, duke sjellë në vëmendje figurën historike të Qazim Mulletit.

4. “NËNA”, SHFAQJA E PULAHËS NË TEATRIN “METROPOL” NË TIRANË

Shfaqja teatrore “Nëna”, me autor Ruzhdi Pulahën dhe regji të Milto Kutalit do të vijojë të shfaqet në Teatrin “Metropol” edhe sonte dhe nesër në orën 19:00. Përmes fotografive të vjetra, kujtimeve dhe historive të pathëna, vepra ndërton një udhëtim mes dy epokave, duke vënë në pikëpyetje kufirin mes së shkuarës dhe së tashmes. Në shfaqje interpretojnë Marjeta Ljarja, Yllka Mujo, Klea Konomi, Elia Zaharia, Xhino Musollari, Roerd Toçe dhe Joana Omeraj.

5. “PO KJO VIJA?”, PREMIERË E SHFAQJES PËR FËMIJË NË TIRANË

“Po kjo vija?” është shfaqja për fëmijë që do të vijë më 27 dhe 29 nëntor, në orën 10:30, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Përmes humorit, teatrit fizik dhe lojës, shfaqja trajton temën e kufijve që krijohen mes njerëzve, duke përcjellë mesazhin se të gjithë mund të ndajnë të njëjtën hapësirë, pavarësisht dallimeve. Ideja dhe regjia janë të Endri Çelës, ndërsa në role interpretojnë Sofi Kotepano dhe Elvi Qorri.

6. FESTAT E NËNTORIT, TRI DITË FESTIME NË QYTETIN E VLORËS

Vlora do të organizojë tri ditë aktivitetesh nga 26-28 nëntor, në kuadër të 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Nën moton “Vlorë, kryeqytet i traditës dhe krenarisë shqiptare!”, qyteti do të mirëpresë aktivitete të dedikuara muzikës, valleve dhe traditave shqiptare, duke sjellë një atmosferë festive në prag të 28 Nëntorit. Festimet do të zhvillohen më 26, 27 dhe 28 nëntor 2026.

7.“NËNTORI KUQ E ZI”, KONCERT FESTIV NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Nëntori Kuq e Zi” është koncerti festiv që do të mbahet sot në orën 18:00 në Teatrin e Kukullave në Tiranë. Në këtë mbrëmje do të bashkohen disiplinat artistike të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, përmes muzikës, këngës, valles dhe performancave artistike, në një program kushtuar festave kombëtare. Koncerti do të jetë i hapur për publikun dhe hyrja do të jetë e lirë.