
Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të enjten më 26 nëntor përfundimin e hetimeve ndaj 10 anëtarëve të një grupi kriminal me veprimtari transferimin dhe pastrimin e vlerave monetare të përfituara nga trafikimi dhe shitja e lëndëve narkotike. SPAK i kërkjon gjykatës kalimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Igli Kamberi, Ergys Kastrati alias Bishja, Nevila Kamberi, Idajete Kurti, Bardhok Gjergji, Lefter Nelaj, Edi Brahaj, Dituri Buzi, Saimir Pirra dhe Sokol Fusha, për akuzat e pastrimit të parave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Në njoftim bëhet me dije se hetimet për këtë procedim penal janë kryer në Shqipëri dhe Itali, prej nga është dokumentuar aktiviteti kriminal.
Hetimi ka dokumentuar episode të transferimit të vlerave të ndryshme monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal i tregtimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në Italinë e Jugut dhe në zona të tjera të Italisë, duke i dërguar më pas vlerat monetare të përfituara drejt Shqipërisë, me qëllim pastrimin dhe mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre. Paratë transportoheshin në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar nga pjesëtarët e grupit, kryesisht me shoferë të transportit ndërkombëtar ose me korrierë, përmes rrugëve informale, për të shmangur kontrollet nga agjencitë ligjzbatuese dhe gjurmimin e tyre. Vlerat monetare fshiheshin në automjete ose mes sendeve të zakonshme, si veshje të përdorura. Transportuesit shpërbleheshin me një përqindje të shumës së transportuar.
Në njërin prej episodeve të datës 14 nëntor 2024, në Pikën e Kalimit Kufitar të Murriqanit, Shkodër është ushtruar kontroll, kur janë gjetur dhe janë sekuestruar 680 mijë euro të fshehura në një vend të përshtatur enkas në një automjet që drejtohej nga i pandehuri Lefter Nelaj.
SPAK evidenton edhe rolet e të pandehurve në aktivitetin kriminal. Ergys Kastrati akuzohet si furnizuesi dhe ndërlidhësi mes anëtarëve të grupit, si dhe dhënësi i porosive për marrjen e parave në Itali. I pandehuri Igli Kamberi akuzohet se menaxhonte trafikimin në Itali dhe vendoste mbi destinacionin e përfitimeve. Ndërsa i pandehuri Edi Brahaj akuzohet se koordinonte zbatimin e porosive dhe kontrollonte transportuesit, duke i dhënë udhëzime për itinerarin, fotografimin, paketimin dhe fshehjen e parave. Bardhok Gjergji përcillte porositë për marrjen e parave, që transportoheshin nga Lefter Nelaj, sipas udhëzimeve të koordinatorëve e duke dërguar fotografi të shumave të marra dhe ecurinë e grumbullimit dhe transferimit të vlerave monetare.
Bashkëshortja e Igli Kamberi, e pandehura Nevila Kamberi administronte “arkën” e grupit, duke vendosur për shumën, transportuesit dhe destinacionin e parave në Shqipëri. Ajo ndihmohej nga e ëma, e pandehura Dituri Buzi dhe i pandehuri Saimir Pirra për transferimin e shumave monetare nga Italia drejt Shqipërisë. Po ashtu, i pandehuri Sokol Fusha ishte pjesë e zinxhirit të funksionimit të grupit kriminal duke transportuar vlera monetare të fshehura në vende të ndryshme, nga Italia në Shqipëri. Ndërsa e pandehura Idajete Kurti, me lidhje familjare me të pandehurin Igli Kamberi shërbente si person i besuar për marrjen dhe ruajtjen e përkohshme të parave nga banesa e tij, për të shmangur sekuestrimin.
SPAK bën me dije se po vijojnë hetimet në Shqipëri dhe në Itali për identifikimin e plotë të pjesëtarëve të grupit kriminal.






