Panik në qiell, pasagjeri tenton të hapë derën gjatë fluturimit, avioni bën ulje emergjente (VIDEO)

Avioni i American Airlines bën ulje emergjente në Arizona, pasagjeri tentoi të hapte derën gjatë fluturimit
Një avion i kompanisë American Airlines ka kryer ulje emergjente në Phoenix të Arizonës, pasi një pasagjer dyshohet se tentoi të hapte një nga dyert e avionit gjatë fluturimit.
Avioni, që ishte nisur nga San Diego drejt Çikagos, u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin e Phoenix rreth orës 01:00 të së mërkurës, më 25 nëntor.
Sipas policisë, pasagjeri u ngrit nga vendi dhe shkoi drejt pjesës së përparme të avionit, duke mos iu bindur disa herë kërkesave të ekuipazhit për t’u kthyer në ulësen e tij. Më pas, ai tentoi të hapte një nga dyert e avionit.
Anëtarët e ekuipazhit, me ndihmën e disa pasagjerëve, arritën ta neutralizonin dhe ta mbanin nën kontroll deri në ulje.
Policia priti avionin në aeroport dhe shoqëroi pasagjerin jashtë tij. Pas incidentit, fluturimi vijoi drejt destinacionit fillestar, Çikagos.
Në një reagim zyrtar, American Airlines falënderoi ekuipazhin për profesionalizmin dhe pasagjerët për ndihmën e dhënë gjatë incidentit.




