
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është përplasur me opozitën gjatë seancës plenare në Kuvend, ku po diskutohej akti normativ për tubimet, i cili parashikon gjoba për aktet e dhunës gjatë protestave. Balla akuzoi Partinë Demokratike se kishte strehuar në selinë e saj personat e përfshirë në akte dhune gjatë protestës, ndërsa theksoi se goditja e punonjësve të policisë për shkak të detyrës përbën vepër penale.
“Goditja e punonjësit të policisë për shkak të detyrës është vepër penale. Prandaj, Partia Demokratike, ose ajo që ka mbetur prej saj, duhet të kuptojë se respekti për Policinë e Shtetit duhet të jetë parimi i parë. Këtu fillon diskutimi”, deklaroi Balla. Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar socialist solli në vëmendje ngjarjet e 21 janarit 2011, ku humbën jetën katër protestues. Ai kujtoi se kishte qenë një prej organizatorëve të protestës dhe se kishte kërkuar vetë heqjen e imunitetit parlamentar për t’i hapur rrugë hetimeve.
“Unë kam qenë një nga tre personat përgjegjës për organizimin e protestës së 21 janarit. Në fund të asaj proteste, prokuroria ka ardhur në Parlament dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit për hetimin e ngjarjeve. Madje, kam qenë në këtë sallë kur i kërkova Parlamentit të votonte për heqjen e imunitetit, sepse mbaja përgjegjësi”, u shpreh ai. Balla kërkoi gjithashtu hetimin e plotë të zinxhirit komandues për ngjarjet e 21 janarit, duke iu referuar vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Gjykatës së Lartë.
Nga ana tjetër, ai akuzoi opozitën se kishte penguar Policinë e Shtetit në ushtrimin e detyrës, duke pretenduar se persona të përfshirë në aktet e dhunës ishin strehuar në selinë e PD-së. “Jemi rasti i vetëm në Evropë ku personat që hodhën molotovë u mbyllën në selinë e PD-së dhe deputetët dolën te dera e SHQUP-it për të mos lejuar policinë të kryente veprimet që i takonin”, tha Balla.
Në përfundim të fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së kërkoi miratimin e aktit normativ, si dhe mbështetjen e institucioneve të rendit dhe rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës. “Është detyrim i Kuvendit që ta votojë aktin normativ brenda 45 ditësh. Ta mbështesim ministrin e Brendshëm, Policinë e Shtetit dhe rritjen e pagave të punonjësve të policisë e të Gardës, që mbrojnë shtetin dhe demokracinë”, përfundoi Balla.
