‘Këtu nuk bëhet fjalë për demokraci por për një shtet në gramhat e fundit’ deklaroi deputetja e PD-së Jorida Tabaku sot nga foltorja e Kuvendit.
Deputetja kundërshton aktet normative të qeverisë kundër protestave, si akte të cilat kthejnë Shqipërinë në një shtet policor që i ngjason pushtetit të Enver Hoxhës
Protestat në Shqipëri nuk kanë lidhje me Francën as Italinë. Këtu po luftojnë qytetarët që të luftohet korrupsioni. Protestat zgjuan nervin qytetetar dhe rininë shqiptare. Aktet normative janë antikushtetuese, cënojnë të drejtat e njeriut dhe i japin kompetenca policisë së shtetit të sillet si gjykatë.
Të sillte e të veprojë si shtet policor. Këtu nuk bëhet fjalë për demokraci por për një shtet në gramhat e fundit prej protestës, korrupsionit, abuzimit'
Fjala e plotë:
Të nderuar kolegë të paktë që jeni këtu në sallë, për 170 ditë qytetarët janë në një protestë. Në një protestë kombëtare. Të rinjtë janë në një protestë për të ardhmen e tyre. Sot në fakt parlamenti ka vetëm një lajm të mirë, që nuk është sigurisht miratimi i aktit normativ të turbimeve. Është lajmi që ministri i brendshëm doli nga shtetrrethimi dhe më në fund na foli për dhunën e policisë. Ky është lajmi i mirë. Si kryetare e komisionit të drejtave të njeriut i kam sjellë një kërkesë që ditët e para të protestës të vijë të raportojë. Dhe është zhdukur, është fshehur. Kemi shkuar në çdo komisariat, kemi qenë atje të gjithë deputetët e opozitës. Kemi qenë në spital, kemi qenë në bllokun e sigurisë, po nuk kishte asnjë përfaqësues atje. As ministri nuk ishte atje. Nuk kishte asnjë përfaqësues as nga mazhoranca atje për të parë se si u dhunuan të rinjtë. Të rinjtë protestojnë për të ardhmen e tyre. Protestojnë për një Shqipëri që po vidhet.
Po a keni turp të flisni për djegien e bizneseve kur ju po e digjni përditë Shqipërinë? A keni turp, ju që keni votuar Portin e Durrësit, që keni vjedhë pasurinë publike, ju që keni prishur Teatrin Kombëtar, diskutoni sot për djegien e bizneseve?
Po unë kam qenë atje çdo ditë në protestë. Kam qenë atje në mes të dhunës së policisë, në mes të gazit, në mes të plumbave të gomës. Dhe kam dënuar dhe unë djegien e bizneseve. Kam dalë publikisht dhe i kam kërkuar protestuesve që mos t'i prekin bizneset. Por qëllimisht policia u tërhoq dhe i la protestuesit dhe turmën që të shkonin drejt bizneseve private.
Qëllimisht policia, mbasi ushtroi tre ditë dhunë, rrahu të rinjtë, pati thyerje gjymtyrësh, krisje kafkash, qëllimisht e la ditën e katërt që protestuesit të shkonin te institucionet. Ku ishte policia e shtetit? E unë këtu dua të lexoj disa emra në fakt: Kristi Bumpli, 14 vjeç; Arlit Buçi, 14 vjeç; Donald Rakuli, 15 vjeç; Avni Peposhi, 16 vjeç; Ergi Gjani, 16 vjeç, i rrahur nga shqiponjat, i rrahur në komisariat, i rrahur në furgonat e policisë së shtetit; Erjon Cenolli, 16 vjeç; Redion Juruçi, 17 vjeç; Devi Livenaj, 17 vjeç; Henri Emini, 17 vjeç e shumë të tjerë. Janë 250 minorë të cilët janë arrestuar, shoqëruar, ndaluar. Janë minorë që kanë fjetur në komisariat, atje me pesë veta në bllokun e sigurisë, në paraburgim. Janë njerëz të cilët po protestojnë për të ardhmen e tyre.
E me çfarë përballen? Përballen me dhunën e shtetit.
Me çfarë përballen? Përballen me policinë, për të cilën sigurisht unë dua të bëj një diferencë madhe, dua të bëj një dallim të mirë.
A ka sot punonjës policie të ndershëm? Po ka plot policë të ndershëm. Ka plot punonjës policie që e kryejnë me integritet detyrën e tyre.
Po nga ana tjetër ka edhe një grup të madh në policinë e shtetit të kriminalizuar, një grup që ndihmon grupet kriminale, një grup që sot po ia nxin faqen Shqipërisë e policisë së shtetit. Ka një grup që është sjellë në mënyrë kriminale me qytetarët e saj të cilët vetëm kanë protestuar. Është sjellë në mënyrë njerëzore, barbare, jo proporcionale me qytetarët që kanë kërkuar atje më të mirën për vendin e tyre. Qytetarët sot protestojnë kundër korrupsionit, qytetarët sot protestojnë kundër abuzimit, qytetarët sot protestojnë për një Shqipëri më të mirë, e kanë respektin tim, kanë respektin e çdo anëtari, çdo qytetari, çdo anëtari të Partisë Demokratike, sigurisht e çdo anëtari të grupit parlamentar tonin, por respektin e çdo qytetari për betejën e drejtë që ato po bëjnë. Qytetarët sot po kërkojnë më shumë Europë sepse nuk po e ndjejnë që Shqipëria sot ka standarde europiane. Qytetarët protestojnë korrupsionin tuaj. Qytetarët sot protestojnë kundër edhe abuzimit, përqëndrimit të pushtetit. Kërkojnë zgjedhje të lira të ndershme. Qytetarët kërkojnë sot një Shqipëri ku nuk duhet të trokasësh në derën e një politikani për të marrë një punë.
Që një biznes që nuk duhet të njohësh kryeministrin për të marrë një tender. Shqiptarët sot po protestojnë pikërisht që Shqipëria të jetë më e mirë. E zëri i tyre fatmirësisht ka grisur edhe fasadën. Ka grisur fasadën e asaj qeverisjeje që është demokrate, e asaj qeverisjeje që është e mirë me qytetarët, e asaj qeverisjeje që fatkeqësisht gjendet vetëm në raporte e nuk ndodhet, e nuk reflektohet në jetën e qytetarëve, në familjet shqiptare që sot janë gjithmonë e më të varfra. E pikërisht në këtë realitet vijnë dy akte normative të qeverisë.
Akti i parë normativ, i cili është duke u zbatuar ndërkohë që është në gjykatën kushtetuese, i cili shkel të drejtat e njeriut, i cili vjen këtu pas një urgjence, i cili nuk ka nevojë që të miratohet.
U përmend këtu Franca, Italia, në asnjë nga ato vende nuk po protestojnë vetëm qytetarët e atyre vendeve. Nuk ka asnjë lidhje. Këtu po protestojnë shqiptarët që të luftohet korrupsioni. Atje po protestojnë qytetarë, emigrantë të cilët në shumë raste po dëmtojnë edhe bizneset dhe nuk kanë asnjë lidhje me kërkesat që ka protesta në Shqipëri.
Protesta shqiptare në fakt ka qenë gjëja më e bukur që i ka ndodh Shqipërisë në këto 35 vite, 36 vite demokraci, sepse ka zgjuar edhe nervin qytetar. Ka zgjuar edhe nervin e të rinjve që deri dje kanë qenë të harruar, kanë qenë të shtypur. Ka zgjuar pikërisht atë që duhet të zgjonte, rininë shqiptare. Aktet normative, si i pari si i dyti, janë antikushtetues. Sepse përveçse cenojnë të drejtat e njeriut, cenojnë nga ana tjetër edhe procesin e rregullt ligjor. I japin kompetenca policisë së shtetit të sillet si gjykatë pa përfunduar një proces gjyqësor, të sillet si një nga vendet anëtare, si policia e Italisë për t'i ndaluar protestuesit atje. Të sillet e të veprojë sikur jemi një shtet policor. Po në qoft e se jemi një shtet policor atëherë pranojeni që jemi një shtet policor dhe nuk e manaxhon dot as me rregulla, as me ligje normale, as me vendime gjykatash. Por kompetencat që merr Policia e Shtetit me këtë akt normativ e çojnë Shqipërinë në '91-shin, e çojnë Shqipërinë në '90-tën, e këtë duhet luftuar.
Me shumë gjasa të gjithë e kuptojnë që në fakt sot Shqipëria në ato vite ndodhet. Shqipëria sot ndodhet si një autokraci, si një vend që nuk organizon zgjedhje të lira të ndershme, si një vend ku fatkeqësisht pushteti i mbledhur në pak duar, që ndan favoret tek miqtë, që shkel me dhunë lëvizjen dhe protestën e lirë qytetarëve, që sot ka cenuar të gjitha standardet europiane. I ngjan vetëm pushtetit të Enver Hoxhës. E prandaj sot thirrjet e të rinjve janë të njëjta me thirrjet që ishin përpara viteve '90. Sot të rinjtë po kërkojnë pikërisht Europën. E meqenëse çdo ditë flisni e thoni për miratime ligjesh e proces integrimi, a e keni lexuar në progres raport ku akti normativ cilësohet si një nga mjetet më abuzive për t'i ndryshuar ligjet?
Progres raporti sot të thotë që akti normativ qoftë për buxhetin, qoftë për qëllime të tjera nuk duhet përdorur. E ju ndryshoni të drejta kushtetuese, liri dhe të drejtat njeriut me një akt normativ? Sillni në parlament një akt normativ për të cenuar lirinë dhe të drejtat e njeriut? Po ju e keni marrë peng procesin e integrimit. Se në qoftë se Shqipëria sot nuk ecën përpara është pikërisht prej kësaj arsyeje. Në qoftë se Shqipëria sot është ku ndodhet në këtë lum, në këtë gjiriz, është pikërisht prej këtyre vendimeve, prej mungesës së zbatimit të vendimeve të gjykatës kushtetuese, prej mbrojtjes politike të korrupsionit, prej vendimeve abuzive të parlamentit, prej mungesës edhe të së drejtës së protestës. Shumë qytetarë sot duke shkuar, duke kaluar në rrugë janë arrestuar.
Janë arrestuar shtetas të huaj vetëm se kanë qenë duke parë protestën. Janë kërcënuar e dhunuar 60 gazetarë duke ushtruar profesionin e tyre. E për t'i vendosur qershinë tortës edhe ama gjobit televizionet sepse shprehin mendimin e tyre të lirë. Po në çfarë shteti jemi ne? Se në demokraci sigurisht që nuk jemi. Çfarë po ndodh pikërisht me këtë shkelje jo vetëm të drejtave të njeriut por edhe parimeve themelore që duhet të kishte një shtet normal? Këtu nuk bëhet fjalë më për demokraci, po këtu bëhet fjalë për një shtet i cili sot fatkeqësisht është në gramat e fundit.
Në gramat e fundit prej protestës, në gramat e fundit prej korrupsionit, në gramat e fundit prej abuzimit, në gramat e fundit të një qeverisjeje të gjatë 14 vjeçare që i ka lodhur shqiptarët. Po më në fund gjetën mënyrën që të ngrihen, të dalin e të protestojnë rrugë. Kam takuar nëpër komisariate prindër të shqetësuar për fëmijët e tyre. 14 vjeçarë që kanë firmosur me detyrim nga policia deklaratat. Kemi takuar prindër të cilët kanë qenë të shqetësuar edhe për gjendjen fizike edhe për gjendjen shëndetësore të fëmijëve të tyre. Po a keni fëmijë vetë apo s'keni? A mendoni ndonjëherë që këto veprime prekin dhe fëmijët tuaj?
A mendoni ndonjëherë që ato prindër atje në shtëpi të shqetësuar për minorenët, për të rinjtë që kanë protestuar janë pikërisht arsyeja pse të rinjtë janë ngritur në protestë, janë pikërisht arsyeja pse të rinjtë sot duan të largohen? Po a mendoni ndonjëherë kur merrni vendime që këto vendime do ju prekin dhe ju? Apo ju ka kapur arroganca e mendoni që asgjë nuk ju prek? Edhe ato që kanë qenë ulur këtu e sot janë para drejtësisë kështu mendonin. Po ka një kohë për të gjithë. Koha e gjykimit edhe për ju do të vijë.
© SYRI.net
Kapidani: 7 vite pas tërmetit, Sako e ka kthyer rindërtimin në aferë, bonuset e qirasë janë ndërprerë
VIDEO/ Rama i shkon mbrapa një tjetër kryeministri, skena qesharake prej klouni për të rënë në sy
Berisha: Kjo është paketa fiskale e pamëshirësisë! Për rininë keni lënë vetëm 1.5 milionë euro në buxhet