Një tubim solidariteti në mbështetje të protestuesve dhe të rinjve shqiptarë në Shqipëri do të organizohet të shtunën, më 28 nëntor, në Gjenevë të Zvicrës.

Lajmi është bërë i ditur nga mediumi zviceran La Radio Plus, i cili raporton se tubimi do të mbahet në sheshin Place des Nations, duke filluar nga ora 14:00.


Protesta organizohet në kuadër të një dite mobilizimi që pritet të zhvillohet në Tiranë dhe në disa qytete evropiane, në shenjë solidariteti me lëvizjen qytetare në Shqipëri, të njohur si “Revolucioni i Flamingove Rozë”.

Sipas raportimit të mediumit zviceran, prej afro gjashtë muajsh mijëra qytetarë kanë protestuar në Shqipëri kundër projekteve për ndërtimin e komplekseve turistike luksoze në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit, të lidhura me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Lëvizja ka lindur nga kundërshtimi i këtyre projekteve dhe kërkesa për mbrojtjen e vijës bregdetare shqiptare, veçanërisht të lagunës së Nartës, ku flamingot rozë janë shndërruar në simbol të protestave.

Organizatorët kërkojnë anulimin e projekteve dhe mbrojtjen e zonave natyrore nga ndërtimet turistike, transmeton Telegrafi.

Mobilizimi është zgjeruar më 13 tetor, kur mijëra të rinj iu bashkuan protestave, duke kërkuar më shumë investime në arsim dhe kushte dinjitoze për studime.

Sipas raportimit, 45 organizata kanë ngritur shqetësime për përdorim të tepruar të forcës nga policia, ndalime arbitrare dhe shkelje të të drejtave të të miturve.

Organizatorët u kanë bërë thirrje edhe institucioneve evropiane që të reagojnë ndaj pretendimeve për dhunë policore, ndërsa Zvicrës i kanë kërkuar që këto çështje t'i trajtojë në dialogun e saj me qeverinë shqiptare.

Në këtë kontekst, ata kanë përmendur edhe programin e bashkëpunimit zviceran me Shqipërinë për periudhën 2026-2028, për të cilin janë paraparë 58 milionë franga, duke kërkuar që çështjet e mbrojtjes së mjedisit dhe përmirësimit të arsimit të jenë pjesë e diskutimeve.

Zgjedhja e 28 Nëntorit për organizimin e tubimit në Gjenevë nuk është e rastësishme, pasi kjo datë shënon shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 1912, dhe festohet nga shqiptarët në vendlindje dhe diasporë si Dita e Flamurit.

Motoja e organizatorëve është “S'ka festë pa protestë!”, ndërsa tubimi në Gjenevë synon të shprehë solidaritetin me qytetarët që kërkojnë mbrojtjen e bregdetit, përmirësimin e arsimit dhe të drejtën për të protestuar./Telegrafi/