Balla në Këshillin e Integrimit: Shqipëria në BE objektiv mbarëkombëtar, kërkojmë më shumë mbështetje edhe për Kosovën

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar konsensus politik për avancimin e reformave në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, ku merr pjesë edhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, Balla theksoi se integrimi evropian nuk është vetëm objektiv i qeverisë, por një aspiratë mbarëkombëtare.
Ai u shpreh se, pavarësisht dallimeve politike dhe qasjeve të ndryshme për qeverisjen, destinacioni i përbashkët duhet të jetë anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
“Në këtë tryezë shikoni përfaqësues të të gjitha forcave politike dhe kjo është dëshmi e rëndësisë që i kushtojmë procesit të anëtarësimit në BE. Shqipëria është e angazhuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit. Ky nuk është objektivi i vetëm i qeverisë, por objektivi ynë mbarëkombëtar, që përshkon programet e forcave politike dhe angazhimin e institucioneve.
Mund të kemi qasje të ndryshme mbi qeverisjen, por destinacioni ynë i përbashkët është Shqipëria në BE. Vullneti ynë politik është i plotë për të çuar përpara reformat, por pika jonë e referimit mbeten vlerat e Bashkimit Evropian. Anëtarësimi në BE është një zgjedhje për modelin që duam të ndërtojmë këtu në vend”, tha Balla.
Duke u ndalur te reforma zgjedhore, Balla theksoi rëndësinë e konsensusit mes forcave politike, duke nënvizuar se edhe ndryshimet e ardhshme në legjislacionin zgjedhor duhet të realizohen përmes dakordësisë politike. Balla kërkoi që dallimet politike të mos kthehen në pengesë për përmbushjen e objektivave kombëtare.
“Në këtë fazë, konsensusi politik merr një rëndësi më të madhe se kurrë më parë. Legjislacioni ynë zgjedhor ekzistues është rrjedhojë e konsensusit tonë politik dhe besoj se edhe ndryshimet e ardhshme duhet të bëhen po me konsensus.
Dallimet që na mbajnë larg njëri-tjetrit nuk duhet të bëhen pengesë në përmbushjen e objektivave kombëtare. Objektivi ynë është t’i kthejmë rekomandimet në rezultate legjislative dhe në ndryshime të prekshme për të gjithë qytetarët”, tha ai.
Balla bëri thirrje për më shumë mbështetje edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke e lidhur perspektivën evropiane të rajonit me bashkëpunimin dhe avancimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.
“Kuvendi duhet të jetë jo vetëm institucioni që miraton, por edhe ai që mbikëqyr zbatimin dhe garanton llogaridhënien. Ju kërkojmë më shumë mbështetje edhe për rrugëtimin evropian të Kosovës”, tha Balla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



