E enjte, 26 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
BKH dhe Antikorrupsioni lidhin marrëveshje për të çuar në SPAK zyrtarët e dyshuar për korrupsion
Lajme

BKH dhe Antikorrupsioni lidhin marrëveshje për të çuar në SPAK zyrtarët e dyshuar për korrupsion

Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit (DPAK) kanë formalizuar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon të forcojë identifikimin e rasteve korruptive në administratë dhe referimin e tyre pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Marrëveshja është nënshkruar nga drejtori i BKH-së, Joni Keta, dhe drejtori i Përgjithshëm i Antikorrupsionit, Skerdi Tushi. Në thelb të saj është vendosja e një mekanizmi më të koordinuar mes dy institucioneve për shkëmbimin e informacionit dhe evidentimin e shkeljeve që mund të përbëjnë vepra penale.

Sipas parashikimeve të marrëveshjes, kur gjatë kontrolleve dhe verifikimeve administrative konstatohen indicie për korrupsion apo shkelje të tjera që përfshihen në kompetencën e SPAK-ut, informacioni do t’i përcillet Prokurorisë së Posaçme për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme ligjore.

Bashkëpunimi synon të shkurtojë distancën mes zbulimit të parregullsive në institucionet publike dhe vënies në lëvizje të strukturave të drejtësisë, duke krijuar një linjë më të drejtpërdrejtë komunikimi mes organeve që kanë përgjegjësi në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Nisma është pjesë e objektivave të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe lidhet gjithashtu me rekomandimet e Komisionit Evropian për rritjen e bashkërendimit institucional në luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, përtej marrëveshjeve dhe angazhimeve zyrtare, mbetet për t’u parë se çfarë rezultatesh konkrete do të prodhojë ky bashkëpunim. Testi i vërtetë do të jetë numri i rasteve që do të identifikohen, cilësia e provave që do t’i përcillen SPAK-ut dhe, mbi të gjitha, nëse hetimet do të çojnë në përgjegjësi penale për zyrtarët e përfshirë në afera korruptive.

Marrëveshja vjen në një moment kur presioni ndërkombëtar për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit është shtuar. Së fundmi, ambasadori amerikan në Tiranë, Eric Wendt, ka kërkuar nga drejtuesit e SPAK-ut dhe BKH-së, Klodian Braho dhe Joni Keta, angazhim më të vendosur kundër korrupsionit, manipulimit të tenderëve dhe krimit të organizuar.

Në takimin me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, diplomati amerikan vuri theksin te nevoja për të goditur rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës, por edhe për të garantuar një mjedis ekonomik ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe konkurrenca nuk deformohet nga lidhjet korruptive me pushtetin.

Sipas qëndrimit të bërë publik nga Ambasada Amerikane, kompanitë amerikane shohin mundësi investimi në Shqipëri në sektorë si energjia, infrastruktura, turizmi dhe teknologjia. Megjithatë, korrupsioni dhe manipulimi i procedurave të prokurimit mbeten pengesa serioze për krijimin e një tregu të sigurt dhe konkurrues.

Wendt ka kërkuar gjithashtu që hetimet të mos kufizohen vetëm te personat që kryejnë aktivitetin kriminal, por të ndjekin edhe gjurmët financiare, pasuritë dhe komunikimet digjitale që mund të zbulojnë mënyrën se si funksionojnë organizatat kriminale dhe skemat e korrupsionit.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me përdorimin e aplikacioneve të enkriptuara dhe kriptomonedhave për fshehjen e aktivitetit kriminal dhe transferimin e parave. Sipas ambasadorit, këto mjete nuk duhet të kthehen në strehë për personat që përpiqen t’i shmangen përgjegjësisë ligjore.

Marrëveshja mes BKH-së dhe Antikorrupsionit merr rëndësi për mënyrën se si do të funksionojë bashkëpunimi institucional në praktikë. Por për qytetarët, të lodhur nga strategjitë dhe deklaratat e përsëritura kundër korrupsionit, rëndësi nuk ka numri i marrëveshjeve të nënshkruara, por zyrtarët që do të hetohen, pasuritë që do të gjurmohen dhe rastet që do të përfundojnë realisht përpara drejtësisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.