Pentagoni ka akuzuar Kanadanë se nuk ka arritur ta modernizojë ushtrinë e saj për të qenë në gjendje të mbrojë Amerikën e Veriut. Departamenti Amerikan i Mbrojtjes e kritikoi fqinjin e tij verior për shpenzimet ushtarake dhe për rishikimin e blerjes së avionëve luftarakë amerikanë F-35. "Mangësitë e Kanadasë në fushën e mbrojtjes flasin vetë," thuhet në deklaratë. "Kanadaja duhet të bëhet serioze". Marrëdhëniet midis dy vendeve janë dëmtuar nga lufta tregtare e Donald Trump dhe kërcënimet e përsëritura për të pushtuar Kanadanë, me qëllim që ajo të bëhej shteti i 51-të. Pentagoni gjithashtu deklaroi se Pete Hegseth, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, është "tejet i fokusuar" te modernizimi i ushtrisë kanadeze, pas dekadash të tëra gjatë të cilave taksapaguesit amerikanë kanë paguar për mbrojtjen e saj. Uashingtoni e akuzoi Otavën se nuk ka një plan të besueshëm për të përmbushur objektivin e NATO-s prej 5 për qind, një pretendim që Kanadaja e kundërshton. Buxheti më i fundit i Otavës parashikon shpenzime të kombinuara për mbrojtjen dhe sigurinë në masën 4.1 për qind të PBB-së deri në periudhën 2027-2028, por vetëm 2.6 për qind e PBB-së do të shkojë për mbrojtjen thelbësore. Mark Carney, kryeministri kanadez, ka folur rreth problemit të gatishmërisë së vendit të tij, duke thënë se Kanadaja "nuk duhet të dërgojë më tre të katërtat e shpenzimeve të saj kapitale për mbrojtjen në Amerikë". Pentagoni iu referua gjithashtu një vendimi të marrë në mars të vitit të kaluar, kur Carney kërkoi rishikimin e kontratës për blerjen e 88 avionëve luftarakë F-35, për të parë nëse ekzistojnë opsione të tjera. Kryeministri kanadez e kërkoi këtë rishikim "duke pasur parasysh ndryshimin e rrethanave", pasi presidenti amerikan kërcënoi sovranitetin e Kanadasë. Tani pentagoni akuzon Kanadanë se ka vënë çështjet e brendshme përpara efektivitetit ushtarak, duke rrezikuar Komandën e Mbrojtjes Hapësinore të Amerikës së Veriut, që vendet e operojnë së bashku.