Drejtuesit e automjeteve në Angli: Mirëmbajtja e rrugëve do të shmangte dëmshpërblimet

Edhe pse në Angli drejtuesit e automjeteve dëmshpërblehen për dëmet e shkaktuara nga gropat në rrugë, taksapaguesit kërkojnë më shumë përgjegjshmëri nga autoritetet në mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore, duke argumentuar se fondet publike do të ishte më mirë të shpenzoheshin për parandalimin e dëmeve sesa për kompensimin e tyre.
Këshilli i Qarkut të Cambridgeshire, në Angli, pagoi 217,642.65 paund në dëmshpërblime për dëmet e shkaktuara nga gropat në rrugë gjatë vitit financiar 2025/26. Megjithatë, shumë drejtues automjetesh thonë se procesi i përfitimit të dëmshpërblimit është tepër i mundimshëm dhe se paratë do të ishte më mirë të shpenzoheshin për riparimin e rrugëve.
Sipas CambridgeshireLive, shuma e paguar për drejtuesit e automjeteve, makinat e të cilëve janë dëmtuar nga gropat në rrugë, është më shumë se trefishuar gjatë gjashtë viteve të fundit.
Këshilli i Qarkut të Cambridgeshire pagoi 217,642.65 paund për drejtuesit e automjeteve gjatë vitit financiar 2025/26, nga 102,000.71 paund një vit më parë.
Këshilli i qarkut mund të mbahet ligjërisht përgjegjës për dëmet e shkaktuara në automjete nga gropat në rrugë, nëse provohet se ka neglizhuar detyrimet e tij për mirëmbajtjen e rrugëve.
Gjatë vitit financiar 2025/26 u paraqitën 2,298 kërkesa për dëmshpërblim, nga të cilat 897 u miratuan, ndërsa pagesa më e lartë individuale arriti në 4,513.19 paund.
Kjo përbën një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin e mëparshëm, kur u paraqitën 867 kërkesa, nga të cilat 333 u miratuan, ndërsa pagesa më e lartë individuale ishte 3,480.34 paund.
Përpara kësaj periudhe, numri i kërkesave ishte rritur çdo vit, nga 438 në vitin 2021/22, në 1,467 në vitin 2022/23 dhe 1,854 në vitin 2023/24.
Dëmshpërblimi më i lartë individual gjatë gjashtë viteve të fundit ishte 11,511.56 paund në vitin 2022/23, i ndjekur nga një pagesë prej 6,500 paundësh një vit më parë.
Shumë qytetarë argumentojnë se autoritetet vendore duhet të përqendrohen në parandalimin e dëmeve, në vend që të shpenzojnë para për dëmshpërblime dhe procese gjyqësore. Ata kritikojnë orientimin e fondeve drejt korsive të biçikletave dhe projekteve të transportit publik, ndërkohë që mirëmbajtja e rrugëve, si infrastruktura më e përdorur e transportit, mbetet e pamjaftueshme.
Drejtuesit e automjeteve ankohen gjithashtu për vështirësitë në përfitimin e dëmshpërblimeve. Një prej tyre tregoi se kishte kërkuar 800 paund për dëmtimin e sistemit të amortizimit të makinës, por ishte detyruar të hiqte dorë për shkak të pengesave administrative dhe kohës që kërkonte procesi.
Sipas disa qytetarëve, lehtësimi i procedurave të dëmshpërblimit do të ushtronte më shumë presion mbi autoritetet vendore për të përmirësuar mirëmbajtjen e rrugëve. Në afat të gjatë, riparimi i gropave do të ishte më pak i kushtueshëm sesa pagesa e dëmshpërblimeve dhe përballimi i kostove ligjore.
Megjithatë, ka edhe qytetarë që kundërshtojnë sistemin e dëmshpërblimeve, duke argumentuar se drejtuesit e automjeteve duhet ta përshtatin mënyrën e drejtimit me kushtet e rrugës dhe se familjet që nuk zotërojnë automjete nuk duhet të mbulojnë nëpërmjet taksave kostot e drejtimit të pakujdesshëm.
Ankesat e banorëve përqendrohen edhe te cilësia e dobët e riparimeve. Në disa akse rrugore, çarjet dhe gropat janë aq të mëdha, saqë në to kanë filluar të mbijnë bar dhe bimë të egra, ndërsa autoritetet janë mjaftuar me vendosjen e kufizimeve të shpejtësisë.
Banorët evidentojnë se riparimet kryhen vetëm në segmente të caktuara dhe se edhe pjesët e riparuara degradojnë sërish pas një kohe të shkurtër, për shkak të mungesës së ndërhyrjeve në nënshtresat e rrugëve.
Problemi është veçanërisht i theksuar në zonat fushore, ku rrugët e ndërtuara mbi themele të dobëta nuk janë projektuar për të përballuar qarkullimin e kamionëve 44-tonësh, traktorëve të rëndë dhe automjeteve gjithnjë e më të rënda.
Qytetarët vënë në pikëpyetje edhe kriteret që përdorin autoritetet për përcaktimin e prioriteteve të investimeve, pasi në disa raste riparohen rrugë që janë në gjendje relativisht të mirë, ndërkohë që akse të tjera, shumë më të dëmtuara dhe të rrezikshme për qarkullimin, mbeten prej vitesh pa ndërhyrje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









