Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, komisionerja Kos: Begatia e Shqipërisë është e mundur, së pari duhet të kryhen reformat dhe më pas do të vijnë investimet
Atë që shkruhej në raportin e Komisionit Europian, nevojën e uljes së polarizimit të jetës parlamentare, Marta Kos komisionere e zgjerimit ua tha ballë për ballë, klasës politike në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian në Tiranë. Kërkoi dëgjimin e shqetësimeve të ngritura në sheshin e protestës.
“Disa nga çështjet e ngritura në protestat e fundit lidhen ngushtë me negociatat e anëtarësimit dhe ne do të bëjmë pjesën tonë për t’i trajtuar. Çështje të tjera kërkojnë dialog politik brenda Shqipërisë dhe duhen trajtuar nga politikanët, institucionet dhe shoqëria civile shqiptare. Qytetarët që kërkojnë veprime kundër korrupsionit, më shumë transparencë apo mbrojtje më të mirë të mjedisit mund ta çojnë Shqipërinë përpara në rrugën e saj evropiane. Kërkesat e tyre janë një mundësi për ta përshpejtuar anëtarësimin. Nëse i merrni seriozisht këto shqetësime dhe hyni në dialog me ata që i ngrenë, do të forconi besueshmërinë e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Kos.
Gjatë vitit të fundit tha Marta Cos Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“2027 do të jetë Viti i Shqipërisë. Udhërrëfyesi që botuam në fillim të muajit tetor tregon rrugën përpara. Por të gjithë e dimë se një udhërrëfyes në letër nuk është garanci. Sa më shumë i afrohemi anëtarësimit, aq më e rëndësishme bëhet të tregohet se institucionet funksionojnë dhe se ligjet zbatohen në praktikë”, tha ajo.
Sipas komisioneres Kos anëtarësimi Shqipërisë në BE kalon nga konsolidimi betejës me korrupsionin.
“Për shtetet tona anëtare, rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe përafrimi me legjislacionin mjedisor të BE-së, do të jenë ndër provat më vendimtare. Vëmendja do të jetë te zbatimi dhe te veprimet konkrete. Në fushën e sundimit të ligjit, prova vendimtare do të jetë mënyra se si autoritetet u përgjigjen hetimeve, përfshirë rastet kur duhet të japin llogari edhe njerëzit me pushtet”, u shpreh Kos.
“Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë. Për ta arritur këtë, sipas meje, duhen tri gjëra” deklaroi Marta Kos.
“Së pari, duhet të vijoni me reformat dhe të tregoni se ligjet zbatohen në praktikë, edhe në fusha të vështira si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimi i standardeve mjedisore. Së dyti, duhet të zgjerohet pjesëmarrja në procesin ligjvënës. Ata që preken nga ndryshimet ligjore duhet të kenë mundësi të ndikojnë në hartimin e tyre. Së treti, dallimet politike duhen trajtuar përmes dialogut demokratik. Të gjitha forcat politike dhe grupet e shoqërisë shqiptare duhet të bashkojnë forcat. Siç e dëgjova edhe këtu, anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar që kërkon angazhimin e të gjithëve. Kjo do ta forcojë pozitën e Shqipërisë përballë shteteve anëtare të BE-së”, tha ajo.
“Si komisionerja e parë për Zgjerimin që vjen nga Ballkani Perëndimor, do të punoj pa u lodhur për ta ndihmuar vendin tuaj të përmbushë gjithçka që nevojitet” theksoi Marta Kos.
Top Channel