
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar ritmin e avancimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa ka bërë thirrje për bashkëpunim mes forcave politike dhe përfshirje më të gjerë të qytetarëve në procesin e reformave. Duke folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Kos theksoi se Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë grupkapitujt e negociatave brenda vetëm 13 muajve, ndërsa deri në fund të vitit pritet të mbyllet një e katërta e kapitujve negociues.
“Do duhen rrymat e ndryshme të politikës dhe të shoqërisë shqiptare të bashkojnë forcat dhe jo thjesht të zhvillojnë debate për të përmbushur aspiratat tuaja europiane. Kjo do t’u japë reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE legjitimitetin dhe mbështetjen e gjerë që u nevojitet për të qenë të qëndrueshme në kohë”, deklaroi Kos.
Duke u ndalur te zhvillimet e fundit politike në vend, Kos apeloi për dialog ndërmjet të gjithë aktorëve, ndërsa theksoi se protestat paqësore janë pjesë e funksionimit të demokracisë. “Protestat e paqshme janë pjesë e proceseve demokratike. Komisioni Evropian nuk merr anë në diskutimin e brendshëm politik në Shqipëri. Përgjegjësia jonë është që të sigurohemi që standartet që kërkohen për anëtarësimin në BE të përmbushen”, tha Kos.
Komisionerja pranoi gjithashtu se disa prej shqetësimeve të ngritura gjatë protestave të fundit lidhen ngushtë me procesin e negociatave, duke garantuar angazhimin e Komisionit Europian për trajtimin e tyre. Kos nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është vetëm një proces teknik i përmbushjes së standardeve, por edhe një angazhim ndaj vlerave demokratike, dialogut politik dhe funksionimit të institucioneve.
