PE-ja miraton rezolutë për Vukovarin, kërkohet qasje në arkivat e luftës të Serbisë!

26 Nëntor 2026 | 16:02

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për Vukovarin, me të cilën nderohen viktimat e krimeve të kryera në këtë qytet. Me këtë rezolutë, Serbisë i bëhet thirrje që të mundësojë qasjen në arkivat përkatëse të luftës dhe të publikojë të gjitha informacionet e disponueshme për lokacionet e varrezave individuale dhe masive.

Rezoluta u iniciua nga eurodeputetë kroatë të grupeve të ndryshme politike në PE.

Në tekstin e rezolutës thuhet se Vukovari është një kujtesë dhe se parimi “kurrë më” nuk mund të merret si i mirëqenë. Ky parim buron nga shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore dhe është në thelb të projektit evropian.

Tragjedia e Vukovarit, siç thuhet më tej, zbuloi se sa e brishtë është paqja në Evropë dhe cilat janë pasojat kur ajo nuk mbrohet me kohë.

PE-ja thekson se pranimi i krimeve, respektimi i viktimave dhe përcaktimi i fatit të personave të zhdukur janë thelbësore për pajtimin e qëndrueshëm dhe për drejtësi për të gjitha viktimat e luftërave të zhvilluara pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ne këtë rezolutë, PE-ja dënon ashpër mohimin, minimizimin ose madhërimin e krimeve të luftës, përfshirë nderimin publik të kriminelëve të dënuar të luftës. Në veçanti, dënon nderimet që iu bënë Ratko Mlladiqit gjatë varrimit të tij në Beograd, më 7 shtator 2026. Mlladiqi ishte dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Rezoluta u miratua në 35-vjetorin e rënies së Vukovarit. Mbrojtja e forcave kroate në këtë qytet u thye më 18 nëntor 1991, pas 87 ditësh luftimesh të ashpra dhe shkatërrimesh.

Kontrollin mbi Vukovarin e morën Ushtria Popullore Jugosllave (JNA) e asaj kohe dhe njësitë paramilitare. Pasi hynë në qytetin pothuajse tërësisht të shkatërruar, pasoi dëbimi i popullsisë, dërgimi i të burgosurve në kampe dhe krime të rënda lufte. Ndër to ishte edhe masakra në Ovçara, ku u vranë rreth 260 persona, kryesisht të plagosur, të sëmurë dhe civilë të dërguar nga spitali i Vukovarit.

Ndërkaq, pas publikimit të draft-rezolutës, Lëvizja Studentore në Serbi njoftoi se nuk pajtohet me përmbajtjen e tekstit. Sipas vlerësimit të kësaj lëvizjeje, dokumenti nuk kontribuon në pasqyrimin objektiv të ngjarjeve historike, as në pajtimin mes popujve të ish-Jugosllavisë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së: Kam kaluar pushimet në Shqipëri, nuk kam parë vende më të bukura dhe njerëz më të mirë

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, ka ndarë gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian edhe eksperiencat e saj personale në Shqipëri, duke...
15:59 | 26/11/2026

Balla: Dallimet politike të mos pengojnë reformat, Shqipëria në BE është objektiv kombëtar

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi konsensus mes mazhorancës dhe opozitës për reformat që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin...
15:48 | 26/11/2026

Marta Kos: Ndër vendet kandidate, Shqipëria ka mbështetjen më të lartë qytetare për anëtarësimin në BE

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar ritmin e shpejtë të negociatave. Ajo...
15:41 | 26/11/2026