“Buxheti 2027” dhe “Paketa fiskale” sot për votim në Kuvend, opozita 40 amendamente! Debate për reformën zgjedhore dhe aktin normativ për gjobat ndaj protestuesve

26/11/2026 14:09

Kuvendi është mbledhur këtë të enjte në një seancë plenare, ku pritet të votohen projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa fiskale, ndërsa opozita ka paraqitur 40 amendamente.

Kuvendi është mbledhur këtë të enjte në një seancë plenare, ku pritet të votohen projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa fiskale, ndërsa opozita ka paraqitur 40 amendamente. Në rendin e ditës janë përfshirë edhe akti normativ për tubimet dhe gjobat ndaj protestuesve, si dhe lirimi nga detyra i kreut të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Nga 40 amendamentet e propozuara nga opozita, 28 janë paraqitur nga Partia Demokratike  dhe Partia e Lirisë ka paraqitur 12 amendamente.

Seanca është shoqëruar deri më tani me debate mes mazhorancës dhe opozitës, të përqendruara kryesisht te akti normativ për tubimet, veprimet e policisë gjatë protestave dhe kërkesa e demokratëve për zgjatjen e afatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Debati për aktin normativ për tubimet, Berisha: “Mos ia lini këtë turp të madh këtij Kuvendi”

Nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Tomor Alizoti, kundërshtoi aktin normativ për tubimet, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të kufizojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Duke iu referuar vendimit nr. 24 të Gjykatës Kushtetuese, Alizoti argumentoi se qytetarët nuk kanë nevojë të marrin leje për të protestuar, por vetëm të njoftojnë policinë.

“Si mund të ndaloni një qytetar të protestojë? Çfarë ka më të shenjtë në demokraci se protesta? Pse i ndaloni? Sepse keni frikë nga protesta”, deklaroi Alizoti, duke e cilësuar policinë si një “repart dhune”.

Deputetit demokrat iu përgjigj kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili argumentoi se akti normativ e përafron legjislacionin shqiptar me atë të vendeve të Bashkimit Europian.

“Ky akt e çon legjislacionin shqiptar për tubimet në një nivel të afërt me vendet e BE-së. Ato penalitete në këto shtete janë shumë të ashpra, ne jemi ende tolerantë. Ju kam dëgjuar se si sulmoni policinë, mos harroni se ajo është aty për të bërë detyrën”, tha Balla.

Përplasja mes dy deputetëve përfshiu edhe referencat ndaj së kaluarës komuniste. Pas akuzave të Alizotit ndaj socialistëve për servilizëm, Balla iu përgjigj se “i vetmi sekretar i Partisë së Punës në këtë sallë është kryetari i partisë tënde”, ndërsa ftoi demokratët të bashkëpunojnë për reformat që lidhen me anëtarësimin në BE.

Më pas edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kundërshtoi gjithashtu aktin normativ për tubimet, duke argumentuar se asnjë akt i tillë nuk mund të kufizojë të drejtat e qytetarëve të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Berisha i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, të tërheqë nga rendi i ditës votimin e aktit normativ, duke deklaruar: “Mos ia lini edhe këtë turp të madh këtij Kuvendi”.

Berisha akuza ndaj Ballës, Peleshi ndërhyn: Nuk jeni prokuror, nuk jeni gjyqtar

Tonet në sallën e Kuvendit u ashpërsuan gjatë fjalës së kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e cilësoi parlamentin aktual si “parlamentin më kriminal” pas atij të vitit 1945.

Kreu i PD-së hodhi akuza të rënda ndaj Taulant Ballës, duke pretenduar përfshirjen e tij në porositjen e vrasjeve, si dhe zhdukjen e provave nga përfaqësues të drejtësisë. Këto akuza nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Deklaratat e Berishës sollën ndërhyrjen e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili i tërhoqi vëmendjen për etiketimet dhe i kërkoi të lironte foltoren.

“Ju tërheq vëmendjen për etiketimet. Përfundoi koha, zoti Berisha. Kriminelët nuk i vendosni ju, nuk jeni prokuror, nuk jeni gjyqtar. Lironi foltoren”, tha Peleshi.

Reforma zgjedhore, debati Bylykbashi-Balla për zgjatjen e afatit të komisionit

Bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, kërkoi zgjatjen e afatit të komisionit, i cili përfundon më 30 nëntor.

Kërkesa u kundërshtua nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili bëri të ditur se mazhoranca nuk do të pranojë një tjetër shtyrje. Sipas tij, formula me të cilën është ngritur komisioni ka rezultuar jofunksionale, ndërsa akuzoi demokratët për bojkotimin e punës së tij.

“Po jua përsëris edhe një herë se komisioni e ka afatin deri më datë 30. Më pas nuk e keni më në dorë të merrni peng agjendën për në BE. Ftesa është aty, uluni sot, pasnesër, të dielën, punoni me seriozitet”, deklaroi Balla.

Ai la të hapur mundësinë e ngritjes së një komisioni tjetër për reformën zgjedhore, përpara ose pas zgjedhjeve vendore.

Në përgjigje, Bylykbashi iu referua një komunikimi të OSBE/ODIHR-it, në të cilin, sipas tij, kërkoheshin sqarime nëse afati i komisionit mund të shtyhej apo ishte përfundimtar.

“Pra, ju po i thoni sot ODIHR-it që nuk duam të vini dhe të na ndihmoni. Për ju është më e leverdishme një raport tjetër i keq i ODIHR-it sesa të keni pamundësinë për të përdorur shtetin. Po ju them edhe një herë, ne kemi gatishmërinë, kemi sjellë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ju nuk keni sjellë asgjë”, tha Bylykbashi.

Lirimi nga detyra i kreut të AKEP-it përfshihet në rendin e ditës

Ndërkohë, në rendin e ditës së seancës plenare është përfshirë edhe lirimi nga detyra i kreut të AKEP-it. Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, në drejtimin e institucionit do të komandohet anëtari më i vjetër.

Në axhendën e Kuvendit janë përfshirë gjithashtu projektligjet për tregjet e kriptoaseteve, donacionet dhe sponsorizimet, mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare, kontabilitetin në sektorin publik dhe kontrollin e punimeve të ndërtimit.

Spiropalit i ndryshohet vendi në Kuvend pas përjashtimit nga grupi i PS-së, ekspertët e Venecias ndjekin seancën plenare

Në seancën e sotme plenare, e para pas përjashtimit të Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ish-ministres i është ndryshuar edhe vendi në sallën e Kuvendit. Me kërkesë të grupit socialist, Spiropali do të ulet në krahun ku qëndrojnë deputetët e opozitës dhe ata të pavarur, pranë deputetes socialiste Ana Nako. Spiropali nuk është paraqitur në seancën e sotme.

Gjatë seancës së sotme kanë mbërrtiur edhe ekspertët e Komisionit të Venecias, të cilët kanë vendosur të ndjekin nga afër seancën e sotme plenare pas takimit me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar Oerd Bylykbashin dhe Damian Gjiknurin

“Nuk i kufizoni dot të drejtat e qytetarëve me akte normative”/ Berisha nga Kuvendi: Anulojeni, mos ja lini dhe këtë turp të madh parlamentit

 

Top Channel