Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, foli për sfidat e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian në Tiranë, ku ishte e pranishme.
Kos theksoi se vëmendja e Brukselit do të përqendrohet te rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe te përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, veçanërisht në fushën e mjedisit.
Sipas saj, një nga testet më vendimtare për Shqipërinë do të jetë zbatimi i reformave, pasi deklaratat dhe angazhimet politike nuk mjaftojnë.
“Rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përafrimi me ligjet e BE-së për mjedisin, do të jenë ndër testet më vendimtare. Fokusi do të jetë te zbatimi, te veprimet dhe jo thjesht te fjalët”, deklaroi komisionerja.
Një vëmendje të veçantë Kos i kushtoi edhe funksionimit të shtetit të së drejtës dhe reagimit të institucioneve shqiptare ndaj hetimeve që përfshijnë zyrtarë të lartë.
“Në shtetin e së drejtës do të shohim se si autoritetet reagojnë ndaj hetimeve, përfshirë rastet kur ato kanë të bëjnë me vendosjen para përgjegjësisë të personave në pozita të larta pushteti. Pikërisht aty do të shihet nëse institucionet janë vërtet të pavarura dhe nëse institucionet po ndryshojnë realisht”, u shpreh Marta Kos.
Komisionerja vlerësoi se Shqipëria ka mundësi të avancojë drejt anëtarësimit në BE, por nënvizoi nevojën për vullnet dhe angazhim në zbatimin e reformave gjatë vitit të ardhshëm.
“Shqipëria i ka mundësitë t’ia dalë mbanë dhe një vullnet i tillë do të duhet gjatë vitit që vjen”, deklaroi ajo.
Gjatë fjalës së saj, Kos u ndal edhe te mbështetja e qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ajo është ndër më të lartat në vendet kandidate.
“Shumica dërrmuese e shqiptarëve, pra qytetarët, e mbështesin anëtarësimin në BE. Mbështetja është më e larta në të gjitha vendet kandidate. Kjo ju jep mandatin për të ndërmarrë reformat e nevojshme”, tha komisionerja.
Ajo theksoi se ruajtja e kësaj mbështetjeje kërkon përfshirjen aktive të qytetarëve në procesin e integrimit, ndërsa nënvizoi rëndësinë e zbatimit të ligjeve dhe rolit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian.
“Për të ruajtur këtë mbështetje është e rëndësishme që qytetarët të përfshihen në këtë proces. Zbatimi i ligjeve është i rëndësishëm dhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian, pra ju, keni një rëndësi të veçantë”, përfundoi Marta Kos.
