Aksidenti i merr jetën prezantueses së njohur, pak orë pasi festoi ditëlindjen e 31-të
Gjykata e Apelit në Paris ka konfirmuar dërgimin në gjyq të aktorit francez, Gerard Depardieu, në kuadër të çështjes së përdhunimit të ngritur nga aktorja Charlotte Arnould.
Lajmi është raportuar nga televizioni francez BFMTV. 77-vjeçari do të përballet me një proces penal për akuzën e përdhunimit, lidhur me ngjarjen e pretenduar të 7 gushtit 2018.
Sipas dëshmisë së aktores, në atë kohë 22 vjeçe, ajo kishte shkuar në banesën e Depardieu në Paris, i cili ishte mik i të atit të saj, për të marrë këshilla mbi karrierën e saj artistike. Arnould pretendon se gjatë kësaj vizite ishte përdhunuar nga aktori.
Gjashtë ditë më vonë, më 13 gusht 2018, aktorja është rikthyer në banesën e Depardieu, me qëllim që të përballej me të për atë që kishte ndodhur. Sipas pretendimeve të saj, ajo është sulmuar seksualisht për herë të dytë. Pak kohë më pas, Arnould iu drejtua policisë dhe denoncoi ngjarjen.
Sipas raportimit të BFMTV, në vendimmarrjen e saj gjykata është mbështetur edhe në pamjet e kamerave të sigurisë të instaluara në banesën e aktorit.
Rreth 90 për qind e skenave të përshkruara nga Charlotte Arnould janë filmuar nga kamerat. Edhe pse pamjet nuk përmbajnë audio, ato tregojnë situatat e përshkruara nga aktorja.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Gerard Depardieu pretendon se Charlotte Arnould nuk ka bërë rezistencë gjatë episodeve të pretenduara.
Ky nuk është rasti i vetëm në të cilin aktori është përballur me akuza për sjellje seksuale të papërshtatshme. Depardieu është dënuar përfundimisht për sulm seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit Les Volets verts.
Megjithëse fillimisht kishte paraqitur apel kundër vendimit, më 13 nëntor ai e tërhoqi atë, duke shprehur “falje të thella dhe të sinqerta ndaj të gjithë atyre që mund të kenë vuajtur për shkak të kësaj”.
Me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit në Paris, Depardieu do të gjykohet për episodin e pretenduar të 7 gushtit 2018. Për ngjarjen e pretenduar të 13 gushtit, gjykata ka vendosur mosvazhdimin e procedimit penal.
Top Channel