Gjykata Kushtetuese pezullon pjesërisht pjesën e ligjit të Ramës për protestat!

Gjykata Kushtetuese pezullon pjesërisht pjesën e ligjit të Ramës për protestat!

16:35, 26/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Goditet në Gjykatën Kushtetuese akti normativ i qeverisë Rama për tubimet. Pezullohet zbatimi i dispozitës që parashikonte sanksione administrative për protestuesit që bllokojnë rrugët. Çështja do të shqyrtohet me përparësi.

Një zhvillim i rëndësishëm vjen nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka vendosur të pezullojë pjesërisht zbatimin e aktit normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, të Këshillit të Ministrave, që ndryshon ligjin për tubimet.

Vendimi është marrë më 26 nëntor 2026, pas kërkesës së paraqitur nga disa organizata të shoqërisë civile dhe grupime studentore, të cilat kanë kërkuar jo vetëm pezullimin, por edhe shfuqizimin e plotë të aktit normativ.

Me shumicë votash, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi pezullimin e nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit për tubimet.

Bëhet fjalë pikërisht për dispozitën që parashikonte sanksione administrative për personat që, gjatë një tubimi, bllokojnë rrugët automobilistike ose akset rrugore, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit.

Pra, qeveria Rama përballet me një frenim kushtetues të një prej dispozitave të reja që lidhen me protestat dhe bllokimin e rrugëve.

Kërkesa për pezullim është paraqitur nga Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri, si dhe grupimet studentore “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”.

Gjykata ka vendosur gjithashtu që çështja të shqyrtohet me përparësi.

Duhet theksuar se ky është një vendim për pezullimin e përkohshëm të një pjese të aktit normativ dhe jo ende një vendim përfundimtar për antikushtetutshmërinë e tij.

Tashmë pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë kërkesën për shfuqizimin e aktit normativ.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco