Gjykata Kushtetuese ka pezulluar pjesërisht zbatimin e aktit normativ që ndryshon ligjin “Për tubimet”, duke ndalur përkohësisht vendosjen e sanksioneve administrative për protestuesit që bllokojnë rrugët gjatë zhvillimit të tubimeve.
Vendimi u mor me shumicë votash nga Mbledhja e Gjyqtarëve, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga disa organizata të shoqërisë civile dhe grupime studentore, të cilat kërkojnë shfuqizimin e plotë të aktit normativ nr. 5, të datës 28 tetor 2026.
Pezullimi prek nenin 5 të aktit normativ, konkretisht pjesën që parashikon sanksione administrative për bllokimin e rrugëve automobilistike gjatë tubimeve, kur si pasojë pengohet qarkullimi i mjeteve të transportit.
Me këtë vendim, gjobat e parashikuara për këtë shkelje nuk mund të zbatohen deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që çështja të shqyrtohet me përparësi, ndërsa kërkesa për shfuqizimin e aktit normativ është kaluar për shqyrtim në seancë plenare publike, të caktuar më 25 nëntor 2026.


