Aktori francez Gerard Depardieu do të dalë në gjyq për akuzën e përdhunimit të aktores Charlotte Arnould, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit në Paris, e cila ka konfirmuar vazhdimin e procedimit penal për një nga dy episodet e denoncuara prej saj.
Lajmi është raportuar nga televizioni francez BFMTV. Ngjarja për të cilën do të gjykohet 77-vjeçari lidhet me 7 gushtin 2018, kur aktorja, në atë kohë 22 vjeçe, kishte shkuar në banesën e tij në Paris për të marrë këshilla rreth karrierës artistike. Depardieu ishte mik i të atit të saj.
Sipas dëshmisë së Arnould, gjatë kësaj vizite ajo ishte përdhunuar nga aktori. Gjashtë ditë më vonë, më 13 gusht, ajo ishte kthyer në banesën e tij për t’u përballur me të lidhur me ngjarjen e parë, por pretendon se ishte sulmuar seksualisht sërish. Pak kohë më pas, ajo iu drejtua policisë dhe denoncoi rastin.
Sipas BFMTV, në vendimin e saj gjykata është mbështetur edhe në pamjet e kamerave të sigurisë të instaluara në banesën e aktorit. Rreth 90 për qind e situatave të përshkruara nga aktorja thuhet se janë regjistruar nga kamerat. Edhe pse pamjet nuk kanë audio, ato tregojnë skena që përputhen me përshkrimin e saj për ngjarjen.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Depardieu pretendon se aktorja nuk ka bërë rezistencë gjatë episodeve të denoncuara.
Ky nuk është rasti i parë në të cilin aktori është përballur me akuza për sjellje seksuale të papërshtatshme. Depardieu është dënuar përfundimisht për sulm seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets verts”. Fillimisht ai kishte apeluar vendimin, por më 13 nëntor tërhoqi ankimin, duke shprehur “falje të thella dhe të sinqerta ndaj të gjithë atyre që mund të kenë vuajtur për shkak të kësaj”.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit në Paris konfirmon dërgimin e tij në gjyq për episodin e pretenduar të 7 gushtit 2018. Për ngjarjen e dytë, të pretenduar më 13 gusht, gjykata ka vendosur mosvazhdimin e procedimit penal.


