Një 43-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se shiste kokainë në një lokal pranë një institucioni arsimor, në rrugën “Viktor Eftimiu”.
Në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan Selam Imerajn. Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 30 doza të dyshuara kokaine, të përgatitura për shitje.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku u sekuestruan 393.6 gramë të tjera të së njëjtës lëndë narkotike. Sipas dyshimeve të policisë, sasia e gjetur në banesë do të ndahej në doza për t’u shitur pranë institucioneve arsimore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Në total, policia sekuestroi 407 gramë kokainë, si dhe dy telefona celularë.
Operacioni “Shkolla të Pastra” synon parandalimin e veprimtarive kriminale në mjediset shkollore, në afërsi të tyre dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


