Policia ka shpallur në kërkim Vinçesk Pirolin, ndërsa Prokuroria ka kërkuar arrestimin e tij në kuadër të hetimeve për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshi. Piroli rezulton i zhdukur vetëm pak ditë pasi Gjykata e Apelit vendosi ta nxirrte nga qelia dhe t’i caktonte masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Piroli ishte arrestuar më 11 tetor, së bashku me Kristian Ymerin dhe Elden Tarjan, gjatë operacionit policor “Detajet”. Të tre dyshoheshin se po përgatitnin një atentat në zonën e Lezhës. Gjatë operacionit, policia sekuestroi tri armë zjarri, municion luftarak dhe një motomjet të raportuar të vjedhur në Suedi.
Më 19 nëntor, Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë për Pirolin, nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”. Ai kishte qëndruar 38 ditë në paraburgim. Pas lirimit nga qelia, ai nuk është gjetur, ndërsa autoritetet kanë nisur kërkimet për lokalizimin e tij.
Vinçesk Piroli dyshohet se ka lidhje me vrasjen e Frrok Lleshit, 65 vjeç, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram të Shkodrës. Një nga pistat e hetimit për këtë ngjarje ishte ajo e një hakmarrjeje të mundshme, e lidhur me konfliktet e vjetra të familjes.
Frrok Lleshi ishte viktima e tretë e familjes së tij, pas vrasjes së djalit dhe vëllait në fillim të viteve ’90. Në historinë e konfliktit përfshihen edhe kushëriri i tij, Dodë Lleshaj, me të cilin nisi përplasja, si dhe një tjetër person nga Puka.
Ngjarja e parë daton në vitin 1991, kur djali i Frrok Lleshit u vra në Greqi. Në atë kohë u raportua se i riu ishte vrarë nga policia greke, në rrethana të paqarta, por familja dyshonte se pas ngjarjes qëndronin kushërinjtë e tij.
Disa vite më vonë, Frrok Lleshaj dyshohet se vrau kushëririn Dodë Lleshaj, në shenjë hakmarrjeje për të birin. Megjithatë, ai nuk e pranoi asnjëherë autorësinë për këtë vrasje.
Një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Në këtë rast, Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person, vrasje për të cilën e pranoi autorësinë në gjykatë dhe u dënua me 25 vite burg. Nga këto dy hasmëri të vjetra mbeti i vrarë edhe vëllai i tij.
Frrok Lleshaj kishte dalë nga burgu në vitin 2023 dhe pas lirimit ishte kthyer në fshatin Paçram, ku merrej me blegtori. Ai u vra pranë banesës, teksa po ecte në rrugët e fshatit. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi policinë.


