Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dhënë këtë të enjte vendimin për fraksionin e dosjes “Veliaj”, duke dënuar me burg biznesmenin Elman Abule, ndërsa ka shpallur të pafajshëm biznesmenin Fatmir Bektashi dhe Flutura Xhanin.
Elman Abule është dënuar me 7 vite burg për pastrim parash. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është reduktuar në 4 vite e 8 muaj burg. Sipas SPAK, përmes kompanisë së tij “Rametal” SHPK dyshohet se janë qarkulluar para drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën.
Në këtë proces, GJKKO ka dënuar edhe persona të tjerë të përfshirë në hetim. Klotilda Bushka është dënuar me 200 mijë lekë gjobë, ndërsa Frosina Bollo me 1 vit burg, dënim që pas gjykimit të shkurtuar është reduktuar në 8 muaj. Për këtë të fundit është vendosur pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe kalimi në shërbim prove.
Ina Goxhaj, e shpallur fajtore për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, është dënuar me 7 vite burg, që pas reduktimit bëhen 4 vite e 8 muaj. Gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe kalimin e saj në shërbim prove për 5 vite.
Adela Kondakçiu është shpallur fajtore për pastrim parash dhe dënuar me 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj. Megjithatë, ajo është përjashtuar nga vuajtja e dënimit për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë.
Ndërsa Fatjon Baçi është dënuar me 5 vite burg për veprat penale për të cilat është shpallur fajtor. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi është reduktuar në 3 vite e 4 muaj, ndërsa ekzekutimi i tij është pezulluar dhe Baçi është kaluar në shërbim prove për 4 vite.
Për sa u përket subjekteve tregtare, shoqëria “Rametal” SHPK është dënuar me 18 milionë lekë gjobë, shumë e cila pas reduktimit është 12 milionë lekë. Gjoba duhet të paguhet brenda gjashtë muajve. Ndërkohë, shoqëria “Kontakt” SHPK është shpallur e pafajshme.
Ky fraksion është ndarë nga dosja kryesore e SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Tetë personat dhe tri subjektet tregtare janë gjykuar veçmas, pasi ndaj tyre është zhvilluar procedura e gjykimit të shkurtuar.
Sipas hetimeve të SPAK, çështja lidhet me dyshimet për një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash, ku në fokus kanë qenë transaksionet financiare, kompanitë dhe organizatat që dyshohet se kanë shërbyer për transferimin e parave drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën.
Abule akuzohej për pastrim parash, pasi prokuroria dyshonte se përmes kompanisë “Rametal” ishin përdorur fatura fiktive për të qarkulluar para. Ndërsa Ina Goxhaj, ish-drejtuese e organizatës jofitimprurëse “BYL-A”, akuzohej për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, në lidhje edhe me fondet e përfituara nga organizata për aktivitete kulturore.
Nga ana tjetër, Fatmir Bektashi akuzohej për korrupsion aktiv, ndërsa kompania “Kontakt” ishte përfshirë në hetimet për transaksionet dhe përfitimet e dyshuara. Megjithatë, GJKKO vendosi pafajësinë e Bektashit dhe të shoqërisë “Kontakt”.













