Çështja e paraburgimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u ngrit sot në Parlamentin Holandez gjatë një debati kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian. Debati përfshiu pyetje dhe kërkesa për sqarime nga ana e deputetit Henk Vermeer drejtuar ministrit të Jashtëm të Holandës, Tom Berendsen, lidhur me qëndrimin e qeverisë holandeze ndaj rastit të Veliajt.
Deputeti Vermeer kërkoi që ministri të sqarojë qartë se si e pozicionon qeveria holandeze çështjen e paraburgimit të një kryebashkiaku të zgjedhur në mënyrë demokratike, në dritën e standardeve evropiane dhe të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai ngriti gjithashtu pyetjen nëse ministri është i informuar për situatën e Veliajt dhe nëse është i gatshëm ta ngrejë këtë çështje në nivelin e institucionit të Bashkimit Europian.
Në përgjigjen e tij, ministri i Jashtëm Tom Berendsen deklaroi se qeveria holandeze po monitoron nga afër çështjen e kryebashkiakut. Ai theksoi se po mbahet vëmendje ndaj zhvillimeve në këtë rast, pa dhënë detaje të mëtejshme të përmbajtjes së monitorimit apo veprime konkrete që do të ndërmerren në bazë të tij.
Pas përgjigjes së ministrit, deputeti Henk Vermeer replikuar sërish, duke kritikuar qëndrimin e qeverisë holandeze. Vermeer theksoi se, sipas tij, qeveria ka mbyllur sytë përballë kësaj çështjeje dhe shprehu pakënaqësi për mënyrën se si po trajtohet situata në nivel kombëtar dhe në raport me mekanizmat e Bashkimit Europian.
Rasti mbetet objekt i vëmendjes së diskutimit parlamentar në Holandë dhe, sipas komunikimit të paraqitur në seancë, qeveria deklaroi se vazhdon ta ndjekë ngjarjen nga afër.
