Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si Bashkimi Europian po e trajton qeverinë shqiptare në kuadër të procesit të integrimit. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ai paralajmëroi se mbështetja politike ndaj qeverisë së Edi Ramës, pavarësisht problematikave që ngre opozita dhe shoqëria civile, mund të dëmtojë besimin e qytetarëve te institucionet europiane.
Në fjalën e tij, Muçi iu drejtua komisioneres europiane Marta Kos, duke theksuar se afrimi i legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së nuk duhet të jetë arsye për të anashkaluar çështjet që lidhen me demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Sipas deputetit, qytetarët shqiptarë nuk e shohin integrimin europian thjesht si një objektiv politik, por kërkojnë që standardet demokratike të garantohen që tani, pa pritur anëtarësimin e vendit në Union.
Muçi akuzoi kryeministrin Rama se po e përdor procesin e integrimit si mburojë politike për të vijuar qëndrimin në pushtet, ndërsa i kërkoi përfaqësueses së BE-së që të kërkojë llogari për shkeljet që ai pretendon se po ndodhin në Shqipëri.
“Mbështetja e palëkundur që ju i keni dhënë deri tani autokratit të fundit të Ballkanit, thjesht sepse qeveria e tij ka përafruar legjislacionin me acquis communautaire, po dëmton reputacionin e BE-së, po vë në diskutim vlerat dhe po fermenton skepticizëm mes bashkatdhetarëve të mi. Këtë po jua thotë një europian që do që Shqipëria të hyjë në BE sa më parë”, deklaroi Muçi.
Ai nënvizoi se përgjegjësia për përmbushjen e standardeve europiane nuk mund të shtyhet deri në përfundim të negociatave, duke kërkuar që Bashkimi Europian të mbajë një qëndrim më kërkues ndaj qeverisë shqiptare.
“Shqiptarët kërkojnë demokraci e shtet ligjor tani. Shqiptarët kërkojnë shtet ligjor tani e jo pasi të futemi në BE. Kuptoj që ju mbështesni procesin e jo njeriun, por njeriu po përdor procesin si justifikim për të mbajtur pushtetin e për t’i shkaktuar dëm vendit tim. Ju jeni në pozicion të privilegjuar për ta mbajtur Ramën përgjegjës për një sërë shkeljesh. Uroj ta bëni, se për një kohë të gjatë na keni thënë që duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Integrimi është një proces për të cilin ia vlen të luftosh”, përfundoi deputeti.













