Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka marrë disa vendime disiplinore për incidentet e regjistruara në ndeshjet e fundit të kampionateve shqiptare.

Në vendimin e publikuar këtë të mërkurë, vëmendje të veçantë merr hapja e një hetimi disiplinor për incidentet në ndeshjen KF Oriku-FK Kukësi, ku klubi mik pretendon se lojtarët e tij janë dhunuar.

Ndërkohë, një nga masat më të rënda të këtij vendimi është ajo ndaj KF Sopotit, i cili është dënuar me 300 mijë lekë gjobë për dështim në garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes, si dhe për sjelljen e tifozëve, të cilët hodhën sende në fushë, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar. Gjoba do të aplikohet në masën 50%.

Për këtë rast, Komisioni ka paralajmëruar klubin se përsëritja e rasteve të tilla do të sjellë masa më të rënda disiplinore.

Gjithashtu, zyrtari i Sopotit, Fatjon Xhafa, është dënuar me 13 ndeshje pezullim për kërcënime të përsëritura ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Atij i ndalohet edhe hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit deri në përfundimin e dënimit.

Masat e tjera të Komisionit të Disiplinës:

AF Elbasani është gjobitur me 100 mijë lekë për ndezjen e mjeteve piroteknike dhe hedhjen e sendeve në fushë nga tifozët.

KF Skënderbeu është gjobitur me 100 mijë lekë për hedhjen e sendeve në fushë dhe rrezikimin e sigurisë së lojtarëve kundërshtarë.

KF Besëlidhja është gjobitur me 100 mijë lekë për hedhjen e sendeve në fushë dhe mangësitë në garantimin e sigurisë në stadium. Gjoba do të aplikohet në masën 50%.

Zyrtari i Vllaznisë, Werner Reinmuth Burger, dhe zyrtari i Kastriotit, Gazmend Vogli, janë dënuar secili me nga dy ndeshje pezullim për protesta ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes.

Lojtari i Korabit, Serxhio Xhika, është dënuar me katër ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.