Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i kanë bërë thirrje Rusisë të shmangë çdo veprim që mund të zgjerojë luftën në Ukrainë, duke theksuar se përparësi mbetet arritja sa më e shpejtë e një zgjidhjeje paqësore.
Deklarata u bë pas takimit të zhvilluar mes tyre në rezidencën e Trump, Mar-a-Lago, në Florida, ku në fokus të bisedimeve ishin lufta në Ukrainë, konflikti në Iran dhe bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të NATO-s.
Në deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit, dy liderët nënvizuan se Moska duhet të shmangë çdo veprim që mund ta përshkallëzojë konfliktin, qoftë edhe pa qëllim.
“Gjatë takimit, u theksua gjithashtu rëndësia që Rusia të shmangë çdo veprim që, qëllimisht ose pa dashje, e zgjeron luftën, si dhe rëndësia e arritjes sa më të shpejtë të një zgjidhjeje paqësore”, thuhet në deklaratë.
Takimi zhvillohet në një moment kur Uashingtoni po përpiqet të nxisë negociatat për përfundimin e luftës, përmes komunikimeve me Moskën dhe Kievin. Ndërkohë, vendet evropiane kanë kërkuar të kenë një rol në procesin diplomatik.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka këmbëngulur se Evropa duhet të jetë pjesë e bisedimeve dhe e vendimmarrjes për të ardhmen e Ukrainës.
Nga ana e tij, Rutte ka mbrojtur qasjen e Trump ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Sipas kreut të NATO-s, presidenti amerikan po përpiqet të kuptojë nëse udhëheqësi i Kremlinit është realisht i gatshëm të ulet në tryezën e negociatave dhe të angazhohet për përfundimin e luftës.
Rutte ka theksuar se çdo marrëveshje paqeje apo armëpushim afatgjatë duhet të shoqërohet me garanci sigurie për Ukrainën. Ai ka nënvizuar gjithashtu se mbështetja për Kievin duhet të vijojë, në mënyrë që vendi të ketë kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur veten.
Në takimin në Mar-a-Lago u diskutua edhe për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe investimet në industrinë ushtarake, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe në vendet anëtare të NATO-s.


