Paraburgimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është bërë pjesë e debatit në Parlamentin e Holandës, në kuadër të diskutimeve për zgjerimin e Bashkimit Europian.

Deputeti holandez Henk Vermeer i është drejtuar ministrit të Jashtëm, Tom Berendsen, duke kërkuar një qëndrim të qartë të qeverisë lidhur me mbajtjen në paraburgim të Veliajt, të cilin e cilësoi si një kryebashkiak të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Gjatë ndërhyrjes së tij, Vermeer ngriti pikëpyetje mbi përputhshmërinë e kësaj çështjeje me standardet europiane dhe ndikimin që mund të ketë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Ai kërkoi gjithashtu të dinte nëse ministri ishte i informuar mbi situatën dhe nëse do të ishte i gatshëm ta trajtonte atë në nivel europian.

Nga ana e tij, ministri Berendsen deklaroi se qeveria holandeze po e ndjek nga afër çështjen e kryebashkiakut të Tiranës.

Përgjigjja nuk e ka bindur deputetin Vermeer, i cili në replikën e tij kritikoi qëndrimin e qeverisë, duke e akuzuar se po tregohet pasive dhe po mbyll sytë përballë situatës së krijuar.