Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Gjobat anti-protestë të Ramës në Kuvend

‘Shqipëria, narkoshteti i parë në Europë’/ Këlliçi-Marta Kosit: Injorimi i këtij realiteti inkurajon konsolidimin e krimit

18:01, 26/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka mbajtur një fjalim të fortë në prani të Komisioneres Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ku ka denoncuar atë që e cilësoi si shndërrimin e Shqipërisë në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Duke iu referuar raporteve të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Departamentin Amerikan të Shtetit, SPAK, Moneyval dhe ODIHR, Këlliçi ngriti shqetësimin për lidhjet e pretenduara mes krimit të organizuar dhe niveleve të larta të qeverisjes, pastrimin e parave dhe ndikimin e grupeve kriminale në proceset zgjedhore.

Në fjalën e tij, Këlliçi theksoi se protestat qytetare dhe largimi masiv i shqiptarëve janë tregues të krizës politike dhe institucionale në vend.

Ai kundërshtoi gjithashtu deklaratat e mëparshme të Marta Kos mbi korrupsionin si problem të mentalitetit shoqëror, duke argumentuar se qytetarët shqiptarë nuk e pranojnë korrupsionin, por po protestojnë kundër tij.

“Shqiptarët e duan Europën më shumë se kushdo, por duan të anëtarësohen si demokraci funksionale dhe jo si fasadë europiane mbi një shtet që i përket një partie”, deklaroi Këlliçi.

Fjala e plotë:

Mirë se erdhët në zemrën e Narkoshtetit të parë në Europë! Fjala e sotme e mbajtur në prani të Marta Kos, Komisioneres për Zgjerimin në Komisionin Europian. Fjala më poshtë👇🏻

Zonja Komisionere,

Mirë se erdhët në Tiranë, në zemrën e Narkoshtetit të parë dhe të vetëm të Europës.

Fakt të cilin sot e përmendin të gjithë mediat më të mëdha botërore.

Fakt që e pohon kryeprokurori i antimafias italiane, Nikola Gratieri, kur thotë se Shqipëria narkoshtet nuk është fare ekzagjerim.

Fakt që e thotë Departamenti Amerikan i Shtetit, që e ka shpallur luftën kundër karteleve shqiptare të drogës, prioritet absolut dypalësh.

E thotë Eurodeputeti Michal Gahler, kur pa kullat boshe në Tiranë.

E thotë edhe SPAK, që pranon se Krimi i Organizuar ka akses të plotë në portet dhe doganat tona, dhe që qeveritarët shqiptarë të të gjitha niveleve, kanë lidhje të drejpërdrejta me eksponentët e karteleve të drogës deri në Amerikën Latine.

E thotë edhe Moneyval që e rendit Shqipërinë në vendet ku bëhet pastrim masiv i parave të pista.

E thotë edhe OKB që na rendit mes vendeve kryesore të tranzitit të heroinës dhe kokainës në Europë.

E thotë dhe raporti i juaj se janë konfiskuar vetëm 1.8 milionë euro nga asetet e krimit dhe vetëm 100 mijë euro nga korrupsioni i nivelit të lartë.

E thotë edhe ODIHR që shkruan se Grupet Kriminale kërcënuan zgjedhësit.

E tregon qartazi zhvlerësimi dramatik i euros me 35%, 7% vetëm brenda këtij viti, rekord ky botëror.

E dëshmon Eurostat sipas të cilit, prodhimi industrial në vend ka rënë me 15.3%, si dhe eksportet kanë rënë me 29%.

E dëshmon fakti se shqiptarët, dhe veçanërisht të rinjtë, po braktisin vendin tonë në shifra rekord, si kurrë më parë.

Injorimi i këtij realiteti dramatik, vetëm inkurajon konsolidimin e mëtejshëm të këtij modeli në Ballkan, dhe Europë.

Zonja Komisionere,

Shqipëria sot është në ditën e 180 të protestave, që siç e thotë dhe Raporti juaj, janë më të mëdhatë që nga rrëzimi i diktaturës komuniste. Njerëzit dalin në rrugë sepse kanë një qeveri të korruptuar, të lidhur me krimin, dhe që nuk është produkt i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Nëse e keni të vështirë të besoni fjalët e mia si deputet i opozitës, ju ftoj të dëgjoni ato të Elisa Spiropalit, ish-Kryetares së Kuvendit dhe ish-Ministres së Jashtme, që ju shoqëroi personalisht nëpër Tiranë pak muaj më parë. Jo më larg se dje, ajo tha, citoj: “Qytetari, biznesi dhe media sot nuk kanë përballë një shtet, por një makineri të pashpirt që mund të përdoret kundër tyre". Dje, pasi e përjashtuan nga grupi parlamentar i PS, ajo pranoi se: "Edhe unë mbaj përgjegjësi për konsolidimin e një pushteti të përqëndruar ekstremisht në një dorë." Dhe shtoi: "Pushteti absolut korrupton tërësisht."

Ne, këtë fenomen në Shqipëri, e quajmë me emrin e vet, kapje e shtetit, që tani e pranon edhe një nga ata që e ndërtuan.

Për korrupsionin në Shqipëri, në një intervistë në Politico, ju keni thënë se problemi është vetë mentaliteti i shoqërisë shqiptare që e pranon. Më lejoni t'ju kundërshtoj publikisht.

Korrupsioni i Belinda Ballukut nuk është mentalitet i shoqërisë shqiptare, përkundrazi, shqiptarët janë sot në shesh pikërisht sepse refuzojnë korrupsionin Rama – Balluku.

Shqiptarët e duan Europën më shumë se kushdo. Por duan të antarësohen si demokraci funksionale, dhe jo si fasadë europiane mbi një shtet që i përket një partie.

Zonja Komisionere,

Vitin e kaluar, këtu në Tiranë, ju thatë se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. ODIHR-i tha se nuk ishin të barabarta, por në kushtet e partisë-shtet. Madje Kreu i Delegacionit të PE që vëzhgoi zgjedhjet në Shqipëri jua tha troç se: “Krimi i organizuar pamundëson rotacionin politik në Shqipëri”.

Zonjë e nderuar,

Vetëm njëra nga këto dy qëndrime do të mbetet në histori si e vërtetë.

Ju faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco