
Sali Berisha dhe deputeti i PS-së, Erion Braçe janë përfshirë në replika të ashpra në Kuvend, ”Luanin që sapo dëgjova nuk arrij ta kuptoj pse këtu nuk thërret ‘Rama në burg Berisha në burg’, por e bën atje, dhe këtu nuk e bën. Cila është arsyeja që një luan trim nuk bërtet edhe këtu? Ky është një problem moral. Si mundet një pedagog të vijë këtu të thotë ‘po do ta djeg ministrinë e Arsimit se e dua’, ky është një problem i madh moral. Dhe të thuash që me 28 nëntor protesta është madhështore kur ajo nuk ka ndodhur është një problem logjik që nuk më rri”, tha Braçe.
Berisha e këshilloi Braçen që të veshë fustanin e Elisa Spiropalit. ”Kam vetëm një këshillë, shko e vish fustanin e Elisës, se ajo meriton ato të tjerat. Me ty e kam. Mos provokoni qytetarët, keni filluar provokacione të ulëta, ju fyeni qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo ngritja e trotuarëve që po bëni? Keni frikë se protestuesit do marrin pllakat e trotuarëve.
Pse i provokoni protestuesit, ata kanë qenë paqësor. Pse po çoni kudo trotuaret? Po e bëni për të nxitur dhunë, por çmimin më të lartë ju do e paguani. Ngrini trotuarët tani. Nëse ndonjë nga vajzat apo djemtë e protestës zgjedh pemë për të hedhur vezë, do prisni pemët e Tiranës? Mos prekni trotuarët”, tha Berisha.
