Vendimi i Gjykatës së Posaçme për fraksionin e ndarë të dosjes “Veliaj” ngre pikëpyetje serioze mbi efektivitetin e drejtësisë së re, për të cilën shqiptarët kanë krijuar pritshmëri të mëdha në luftën kundër korrupsionit.
Në një proces ku ishin marrë të pandehur tetë persona dhe tre subjekte juridike, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe kompania “Kontakt” janë shpallur të pafajshëm, ndërsa ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka është dënuar me vetëm 200 mijë lekë gjobë.
Biznesmeni Elman Abule është dënuar me 7 vite burg, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar është reduktuar në 4 vite e 8 muaj, ndërsa kompania e tij “Rametal” është gjobitur me 12 milionë lekë.
Ina Goxhaj është dënuar me 4 vite e 8 muaj burg, por ekzekutimi i dënimit është pezulluar, duke u vendosur në shërbim prove për 5 vite. Edhe Frosina Bollo, e dënuar me 8 muaj burg, ka përfituar pezullimin e dënimit dhe 16 muaj shërbim prove.
Pas hetimeve, akuzave të rënda dhe bujës mediatike, nga personat për të cilët janë raportuar vendimet, vetëm njëri ka marrë dënim efektiv me burg.
Por çfarë po prodhon realisht drejtësia e re? A janë hetimet e SPAK-ut në lartësinë e akuzave që ngre? A justifikojnë rezultatet burimet financiare, kompetencat e jashtëzakonshme dhe besimin që i është dhënë këtij institucioni?
Pafajësia duhet respektuar, por edhe cilësia e hetimeve dhe aftësia e prokurorisë për të provuar akuzat në gjykatë duhet t'i nënshtrohen llogaridhënies publike.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për drejtësi spektakli, konferenca për shtyp, dosje voluminoze dhe arrestime të bujshme. Ata kërkojnë rezultate konkrete, prova bindëse dhe zbatim të barabartë të ligjit.
Ndërkohë që procesi kryesor ndaj Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës vijon, vendimet e sotme shtojnë pikëpyetjet mbi efektivitetin e institucioneve të posaçme.
Nëse SPAK-u nuk arrin të justifikojë ekzistencën e tij përmes rezultateve konkrete, a nuk do të ishte më mirë të shkrihej dhe të riorganizohej sistemi i ndjekjes penale?
Shqipëria ka nevojë për drejtësi, jo për iluzionin e saj!