Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, u bëri thirrje sipërmarrësve të investojnë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se rajoni ofron mundësi të shumta ekonomike dhe se përfitimet nga integrimi europian do të vijnë edhe përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Gjatë Forumit të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, Kos deklaroi se Bashkimi Europian po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj dhe se dy vendet më të avancuara në këtë proces janë nga Ballkani Perëndimor.
“Zgjidhni Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë, BE-ja po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj dhe dy vendet më të avancuara në këtë proces janë nga Ballkani Perëndimor. Ne do të zgjerohemi deri në vitin 2030. Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave. Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur me reformat”, deklaroi Kos.
Komisionerja theksoi se siguria juridike është një ndër kushtet kryesore për zhvillimin ekonomik, pasi u jep sipërmarrësve besimin për të marrë vendime dhe për të investuar në afatgjatë.
“Një ekonomi mund të lulëzojë vetëm kur ka siguri juridike. Ajo u jep sipërmarrësve besimin për të marrë vendime afatgjata. Kemi parë vazhdimisht se kapitali privat është orientuar drejt këtyre vendeve dhe se standardet e jetesës janë rritur”, u shpreh ajo.
Sipas Kos, momenti aktual është veçanërisht i favorshëm për investime në rajon, pasi mundësitë ekonomike pritet të shtohen dhe Bashkimi Europian po modernizon mënyrën se si vendet kandidate mund të përparojnë drejt anëtarësimit.
“Vështirë se ka pasur një moment më të mirë se ky. Mundësitë ekonomike pritet të shtohen. Ne po modernizojmë mënyrën se si vendet kandidate mund të anëtarësohen. Përfitimet do të vijnë edhe përpara anëtarësimit”, tha komisionerja.
Ajo nënvizoi se Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, por shumë nga mundësitë për zhvillim dhe investime janë të pranishme që tani dhe pritet të zgjerohen me rritjen e aksesit në tregun e përbashkët europian dhe financimeve të BE-së.
“Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e BE-së, por shumë prej mundësive ekzistojnë tashmë këtu dhe do të shtohen me zgjerimin e qasjes në tregun unik dhe me më shumë fonde nga BE-ja. Thirrja ime për të gjithë ju është t’i shfrytëzoni këto mundësi”, përfundoi Kos.
