Health & Beauty

Kufizimi i sheqerit para moshës 2 vjeç lidhet me shëndet më të mirë të trurit

Një studim i ri, i publikuar në revistën shkencore Neurology, sugjeron se kufizimi i konsumit të sheqerit gjatë shtatzënisë dhe në dy vitet e para të jetës mund të ketë përfitime afatgjata për shëndetin e trurit.

Studiuesit analizuan një “eksperiment natyror” historik, duke u bazuar te përfundimi i racionimit të sheqerit në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1953. Pas heqjes së kufizimeve, konsumi mesatar ditor i sheqerit pothuajse u dyfishua.

Duke shqyrtuar të dhënat shëndetësore të rreth 65 mijë pjesëmarrësve nga UK Biobank, studiuesit zbuluan se personat që ishin ekspozuar ndaj sasive më të ulëta të sheqerit gjatë kohës kur ishin në barkun e nënës dhe deri në moshën 2 vjeç, zhvilluan demencën mesatarisht 2.6 vite më vonë. Ata gjithashtu kishin strukturë më të ruajtur të trurit dhe vëllim më të shëndetshëm të lëndës gri.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se studimi nuk provon përfundimisht se vetëm kufizimi i sheqerit parandalon rënien e funksioneve njohëse, pasi pas Luftës së Dytë Botërore kanë ndodhur edhe ndryshime të tjera në stilin e jetesës dhe ushqyerje.

Pavarësisht kësaj, gjetjet nënvizojnë rëndësinë e madhe të ushqyerjes gjatë 1.000 ditëve të para të jetës, një periudhë vendimtare për zhvillimin e trurit dhe shëndetin e tij në të ardhmen.