Lifestyle

Studimi i ri: Agjërimi një ditë po, një ditë jo mund të rikthejë nivelet normale të sheqerit në gjak brenda 5 javësh

Një studim i ri nga studiuesit e Universitetit të Miçiganit sugjeron se agjërimi një ditë po dhe një ditë jo mund të ndihmojë në rikthimin e niveleve normale të sheqerit në gjak te personat me diabet.

Në studim u përfshinë minj me një veçori të veçantë gjenetike, e cila bën që insulina të mos paloset siç duhet dhe që zhvillojnë diabet brenda pak javësh kur ushqehen me një dietë të pasur me yndyrë.

Studiuesit i ndanë minjtë në dy grupe. Njëri konsumonte ushqim një ditë po dhe një ditë jo, ndërsa tjetri ndiqte çdo ditë një dietë me më pak kalori. Pavarësisht se të dy grupet konsumuan të njëjtën sasi kalorish dhe kishin të njëjtën peshë, pas rreth pesë javësh, minjtë që agjëronin çdo ditë të dytë arritën të normalizonin plotësisht nivelin e sheqerit në gjak.

Sipas studiuesve, ky rezultat lidhet me qelizat beta të pankreasit, të cilat prodhojnë insulinën. Gjatë periudhave të pushimit, këto qeliza duket se rikuperohen, ruajnë më shumë insulinë dhe e çlirojnë atë në mënyrë më efektive kur organizmi ushqehet.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore Molecular Metabolism, sugjeron se rëndësi mund të ketë jo vetëm sasia e kalorive të konsumuara, por edhe koha kur hahet.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet janë vërejtur te minjtë me një formë të caktuar gjenetike të diabetit dhe ende nuk dihet nëse i njëjti efekt do të shfaqet edhe te njerëzit.

Për këtë arsye, nevojiten studime të mëtejshme te njerëzit për të vlerësuar efektivitetin dhe sigurinë e kësaj metode. Personat që marrin medikamente për diabetin nuk duhet të fillojnë agjërimin pa u konsultuar më parë me mjekun.