Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria synon të dyfishojë ekonominë deri në vitin 2030, pasi sipas tij, gjatë dekadës së fundit ajo është trefishuar, duke kaluar nga 10 në 30 miliardë euro. Gjatë fjalës në Konferencën Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, ai e prezantoi rajonin si një destinacion të ri për investime, inovacion dhe prodhim.
Në përmbyllje të ditës së dytë të konferencës me temë “A New Investment Frontier”, Rama u shpreh se potenciali ekonomik i Shqipërisë mund të rritet edhe më tej, duke përmendur ndër të tjera mundësitë që krijon inteligjenca artificiale.
“Me atë çfarë mund t’i shtojë inteligjenca artificiale potencialit tonë, që është me mjaft këmbë në tokë, kjo është më shumë se e mundur”, deklaroi kryeministri.
Ai vuri në dukje pozicionin gjeografik të Shqipërisë, lidhjen me detet Adriatik dhe Jon, afërsinë me Italinë dhe faktin që vendi është anëtar i NATO-s dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Si avantazhe për investimet përmendi edhe potencialin në sektorin e energjisë së rinovueshme.
“Gjendemi në pikëtakimin midis Adriatikut dhe Jonit. Përballë kemi Italinë, një portë hyrëse e Ballkanit Perëndimor. Jemi një aleate e NATO-s dhe jemi drejt rrugës për në Bashkimin Europian. Shihni energjinë. Energjia jonë elektrike thuajse vjen tërësisht nga burime të ripërtëritshme. Kemi diellin, erën e ujin për të prodhuar shumë më tepër”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje edhe nisjen e Procesit të Berlinit, duke kujtuar takimin e parë të liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2014, me ftesë të ish-kancelares gjermane Angela Merkel.
Ai rikujtoi mesazhin e Merkelit në atë takim, e cila u ishte drejtuar liderëve të rajonit si evropianë, pavarësisht se vendet e tyre nuk ishin ende anëtare të Bashkimit Europian, duke theksuar nevojën për zbatimin e rregullave europiane në të gjithë rajonin.
Sipas Ramës, pas Procesit të Berlinit dhe Planit të ri të Rritjes, Ballkani Perëndimor duhet të shihet jo vetëm si një rajon që synon anëtarësimin në BE, por edhe si një hapësirë me mundësi të reja ekonomike.
“Ballkani Perëndimor si një horizont i ri për investim, inovacion dhe prodhim nuk është slogan, është një propozim dhe propozimi natyrisht duhet të vërtetohet me projekte, partneritete e rezultate”, u shpreh ai.
Duke folur për procesin e integrimit, Rama tha se progresi i Shqipërisë është vlerësuar nga institucionet europiane dhe se kjo, sipas tij, krijon një perspektivë më të qëndrueshme për investitorët.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria do të përfitojë më shumë mbështetje nga Plani i ri i Rritjes, duke e lidhur këtë me përmbushjen e reformave dhe detyrimeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
“Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i ri i Rritjes jo si nder, si favor, por sepse kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe e kemi merituar notën”, deklaroi kryeministri.
Në fund, Rama u ndal te buxheti i vitit 2027, për të cilin tha se po finalizohet në Kuvend dhe se për herë të parë do të arrijë në 10 miliardë euro. Ai e krahasoi këtë shifër me madhësinë e ekonomisë shqiptare një dekadë më parë.
Sipas tij, buxheti i ri përmban masa sociale dhe mbështetje për bizneset e vogla, të cilat, siç u shpreh, përfitojnë nga tatimi zero mbi fitimin.


