Mbi 200 të mitur janë ndaluar gjatë protestave, ndërsa më shumë se 200 nga mbi 300 personat e lënduar janë punonjës policie. Shifrat u bëne publike nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku ngriti shqetësimin për përfshirjen e të miturve në akte dhune.
Demo deklaroi se përdorimi i të miturve nga grupe të caktuara, përfshirë edhe ato politike, për të ushtruar dhunë është një fenomen tejet i rrezikshëm. Sipas tij, në procese gjyqësore është vërtetuar se disa prej tyre janë paguar për të marrë pjesë në akte të tilla gjatë protestave.
“Janë ndaluar mbi 200 protestues që kanë qenë të mitur. Kjo është një kambanë alarmi për një fenomen që është tejet i rrezikshëm. Është e pafalshme që grupe të caktuara, edhe politike, i përdorin të miturit për të mbuluar aktet e dhunës. Është vërtetuar edhe në procese gjyqësore se të mitur të caktuar janë paguar për të ushtruar dhunë në protestë”, deklaroi ministri.
Ai u bëri thirrje forcave politike që të dënojnë publikisht përfshirjen e të miturve në veprime të dhunshme, duke kritikuar edhe mungesën e reagimeve nga partitë opozitare.
“Nëse do të kishte një gjë që do t’i bënte bashkë të gjitha forcat politike, do të ishte refuzimi me neveri i kujtdo që përdor të miturit për të kryer akte dhune. Asnjë i mitur nuk e ka vendin në protesta të dhunshme. Ata duhet të jenë në bankat e shkollës, nën kujdesin e mësuesve dhe të familjes. E shoh tejet shqetësuese që nuk dëgjojmë asnjë nga partitë e opozitës ta dënojë këtë veprim”, tha Demo.
Ministri foli edhe për punonjësit e policisë të lënduar gjatë protestave, duke deklaruar se ata përbëjnë shumicën e personave të raportuar të lënduar. Ai kritikoi, gjithashtu, atë që e cilësoi si vëmendje të njëanshme ndaj protestuesve të lënduar, ndërsa sipas tij, policët nuk marrin të njëjtën vëmendje publike.
“Nga pak më shumë se 300 të lënduar, mbi 200 kanë qenë punonjës policie. Ky është një fakt shqetësues, sepse kolegët çohen në foltore, flasin për vizitat që bëjnë në spitale dhe kërkojnë që të jetë i gjithë shteti aty. Unë kam qenë çdo natë në spital dhe s’e kam bërë publike. Disa deputetë shkojnë për të bërë videon e radhës dhe shkojnë vetëm te protestuesi. Askush nuk shkon te polici. Kjo nuk mund të jetë një shfaqje”, u shpreh ministri.


