Kryeministri Edi Rama deklaroi se ekonomia shqiptare është trefishuar në 10 vitet e fundit, gjatë konferencës së përbashkët me komisioneren europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Sipas Ramës, ecuria e ekonomisë shqiptare, është rritur nga 10 miliardë euro një dekadë më parë, në rreth 30 miliardë euro aktualisht.
“Ka ardhur koha që të mos shihemi më përmes lentes së zgjerimit, si një rajon që gjithmonë përpiqet të kapë ritmin me BE-në, sepse jemi shumë më tepër se kaq. Jemi një destinacion investimi. Jemi një vend në rritje, pjesë e rritjes ekonomike dhe e konkurrueshmërisë evropiane. Një dekadë më parë ishte një ekonomi 10 miliardë euro, sot është një ekonomi 30 miliardë euro. E kemi trefishuar ekonominë dhe synojmë të bëjmë më shumë”,- deklaroi ai.
Por pretendimi i Ramës për rritjen ekonomike vjen në një realitet ku treguesit ndërkombëtarë vijojnë ta rendisin Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave në Europë.
Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se Shqipëria ka PBB-në për frymë më të ulët ndër vendet e rajonit të përfshira në krahasim, me rreth 6,500 euro, sipas të dhënave të vitit 2022. Shifra është ndjeshëm poshtë mesatares së Bashkimit Europian, e cila në vitin 2025 arriti në 41,620 euro.
Edhe raporti i Bankës Botërore për varfërinë, i publikuar në tetor 2026, vlerëson se 23.1% e popullsisë jetonte në vitin 2025 me më pak se 8.30 dollarë në ditë, sipas kufirit të varfërisë për vendet me të ardhura të mesme të larta.
Kështu, deklarata e Ramës, si gjithmonë mbeten në kuadrin e propagandës, kjo pasi renditja e Shqipërisë për të ardhurat për frymë dhe niveli i varfërisë tregojnë se hendeku me standardet europiane mbetet i konsiderueshëm.













